Montag, 10. Juni 2013

Mitet dhe mitologjia ne krijimtarine e Naim Frasherit

Rexhep Qosja
(fragmente)

Naim Frashëri është një prej shkrimtarëve të rrallë të traditës letrare shqipe i cili ka shfaqur në shkrimet e tij pikëpamjet për rolin e mitologjisë në letërsi. Ndikimi i mitologjisë në krijimtarinë e tij shtrihet prej vjershave të përmbledhjes së parë dhe deri tek poemat e fundit. Po ndikimi më i dukshëm i mitologjisë në krijimtarinë e tij është tek poema “Istori e Skënderbeut”.
Më dukshëm sesa figurat e ndryshme mitologjike, për ndikimin e mitologjisë në krijimtarinë e Naim Frashërit rrëfejnë mitemat e ndryshme që përdor ai. Në këto bërthama të mitit shihen më fort lidhjet e krijimtarisë së tij me mitologjinë jo pse mund të jenë aq të shpeshta, por pse, si përfaqësuese të botëpërjetimit dhe të botëkuptimit mitologjik, rrëfejnë për ndikime më thelbësore të mitologjisë në krijimtarinë e tij. Në poemën heroike “Istori e Skënderbeut”, më shpesh sesa në vjershat dhe në poemat lirike, mund të gjenden disa pamje dhe situata, që të përkujtojnë mitema të ndryshme të lashta.
Cilat janë këto mitema?
Në këngën II të “Istorisë së Skënderbeut” Naim Frashëri kallëzon se si Gjon Kastrioti detyrohet t’ia japë sulltan Muratit peng të tre djemtë, të cilët ai i çon në Adrianopojë. Marrja peng e bijve të Gjon Kastriotit, ndër të cilët është dhe më i vogli, Gjergji, duket si një riprodhim i mitemës mbi mërgimin e heroit mitologjik.
Në të njëjtën këngë të “Istorisë së Skënderbeut”  kallëzohet dhe ëndrra e nënës së Skënderbeut, së cilës, në gjumë i kishte dalë
Një kuçedrë, nj’egërsirë
Me ca sy të xgurdulluar!
Në mest të gjakut po rrinte,
Rreth  e rrotull vështronte
Shumë frynt’ e shkrofëtinte,
Dhe tym e flakë lëshonte.
Tre nga djemt’ e saj kish zënë
E si ujku po i çante,
Si shqerra posht’ i kish vënë,
Edhe mushkërit’ u hante!
M’i vogëlthi po vinte,
Si engjëll pshtjellë me dritë
Si lëmsh’ i djellit ndrinte,
Nat’ e errët’ u bë ditë.
Kuçedrësë ju lëshua,
I ra me kordhët dh’e vrau!
Në këto vargje sikur riprodhohet mitema e lashtë mbi luftën fitimtare të heroit mitologjik kundër kuçedrave dhe fuqive të tjera të errëta mbinatyrore. Po këto s’janë të vetmet mitema të riprodhuara në ëndërr në “Istorinë e Skënderbeut”.
Në këngën III të “Istorisë së Skënderbeut” kallëzohet se si e ëma, kur kishte qenë shtatzënë me Gjergjin, kishte ëndërruar se kishte lindur një dragua. Në të njëjtën këngë, ndërkaq, thuhet se si Skënderbeu kishte lindur “me një shenjë si shpatë” në krahun e djathtë. Si në rastin e parë, ashtu dhe në rastin e dytë riprodhohet mitema, më pak a më shumë e ndryshuar, mbi lindjen e çuditshme dhe me shenja të çuditshme, të heroit mitologjik.
Në këngën V të poemës kallëzohet edhe për babanë e Skënderbeut, Gjonin, i cili, si hije çohet prej varrit dhe shkon në Azi që ta vërë në dijeni të birin, Gjergjin, i cili këtu bënte luftëra në krye të ushtrisë turke, për robërinë e tmerrshme që kishte pushtuar atdheun e tij, Shqipërinë. Ky rrëfim, pa dyshim, të përkujton mitemën mbi heroin mitologjik, që çohet prej varrit dhe u shkon në ndihmë të afërmve dhe njerëzve të tjerë, që gjenden në rrezik. Në qoftë se mitemat e sipërthëna janë ëndrra, pamje apo situata më të zhvilluara apo më të rrudhura të këngëve të ndryshme, kënga XII e “Istorisë së Skënderbeut”, në tërësi, përbëhet nga një mitemë e zgjeruar. Në këtë këngë Naim Frashëri rrëfen për ngritjen e ëndërruar të Skënderbeut në qiell. Miti i lashtë në këtë këngë të poemës së Naim Frashërit është riprodhuar në mënyrë të anasjelltë: në vend se të zbresë në mbretërinë e vdekjes, heroi ngrihet në qiell. Megjithëse nxitjen krijuese për riprodhimin e mitemës mbi zbritjen e heronjve mitologjikë në botën nëntokësore e merr prej “Komedisë Hyjnore” të Dantes, anasjellën në të NaimFrashëri e bën nën ndikimin e mitologjisë fetare.
Parafytyrimet mitologjike që krijon Naim Frashëri në poemën “Istori e Skënderbeut”, duke riprodhuar me më pak a me më shumë ndryshime, mitemat e lashta, nuk janë të rastit dhe nuk janë pa lidhje me tërësinë në të cilën përdoren. Ato janë të dhëna artistike me të cilat ai përpiqet të arsyetojë ndërtimin mitologjik të personazheve të këtyre poemave.
Mitologjia në krijimtarinë e Naim Frashërit ka vlerë simbolike. Duke e paraqitur botën si luftë ndërmjet së mirës dhe së keqes, dritës dhe errësirës, lindjes dhe vdekjes, gjithmonë fitojnë apo duhet të fitojnë e mira, drita, lindja, heroi. Ai u krijon lexuesve modele prej të cilave duhet të marrin mësime se si të sillen, se si të veprojnë dhe se si të mendojnë në jetën e tyre.
Nuk ka dyshim se në sajë të botëpërjetimit dhe të botëkuptimit mitologjik bota poetike e Naim Frashërit përjetohet si një botë në të cilën ballafaqohen ide, mendime, ndjenja dhe forca përmasash të mëdha që me madhështinë e tyre e shqetësojnë imagjinatën e lexuesit.

Burimi: KLASALETERSI.COM

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen