Samstag, 1. Juni 2013

Rrahim Sadiku

Rrahim Sadiku u lind në Komogllavë të Ferizajt më 1 tetor 1954. Shkollimin fillor e kreu në venblindje, gjimanzin në Ferizaj, Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe e kreu në Prishtinë.
Si student punoi në gazetën “Bota e re”, redaktor i kulturës e mësimdhënës në shkollat e mesme të Ferizajt. Pas diplomimit punon gazetar në të përditshën “Rilindja”, në rubrikën e kulturës dhe korrespondent i kësaj ga...zete në Shkup. Gjatë asaj kohe merret aktivisht me veprimtari ilegale. Ishte njëri nga udhëheqësit e Organizatës Ilegale “Lëvizja për Çlirimin e Kosovës” dhe një kohë gazetar e kryredaktor i gazetës ilegale “Liria”, derisa burgoset më 15 dhjetor 1982. Pas më shumë se një vit hetimesh e torturash të vazhdueshme, dënohet me 10 vjet burg. Pas daljes nga burgu merret me punë të ndryshme, për të mbijetuar, derisa më 1991 fillon punën e mvsimdhënësit në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj, ku punon deri më 1998. Gjatë kësaj kohe merret aktivisht me organizime kundër pushtuesit, burgoset e maltretohet, po nuk ndalet. Bashkohet me luftëtarët e lirisë dhe më 21 maj 1999 plagoset rëndë në Betejën e Stagovës, afër Kaçanikut, ku humb këmbën e majtë. Pas mbarimit të luftës punon kryeredaktor në Radio Ferizaj e më vonë drejtor i Sektorit të Kulturës në Ferizaj. Që nga viti 1911 është larguar nga puna si i papërshtatshëm (ideo)politikisht për shokët e tij të luftës e të idealit dhe merret kryesisht me krijimtari artistike e me publicistikë.
Rrahim Sadiku ka botuar këto vepra:
1. “Ndodhi në gjithësi”, poemë për fëmijë, “De Rada”, Ferizaj, 1978,
2. “Këngë nderi e lirie”, poemë e botuar në Zvicër më 1988,
3. “Kohë e ngjarjeve të mëdha” poemë për fëmijë, Zvicër, 1989,
4. “Kujt t’i flas”, poemë, Prishtinë 1995,
5. “Hidhet vallja kënga s’ndalet”, monografi, Ferizaj, 1996,
6. “Kokat gjokset shpinat”, poemë satirike, Prishtinë 1996,
7. “Ngjarje në kohë të pakohë”, roman, 1996,
8. “Kryeatentati, roman, “Rilindja”, Prishtinë, 2000,
9. “Lirikë qëndrese”, poezi, 2001,
10. “Jetë kushtuar lirisë”, monografi, 2002,
11. “Nëpër ndërrime”, komedi 2003,
12. “Shembja”, dramë, 2006,
13. “Stagova”, monografi, 2006,
14. “Ethet e pritjes”, tregime, 2007,
15. “Ferizaj ‘68”, monografi, 2008,
16. “Një pamje tjetër”, palimpsest, 2008,
17. “Shkojnë kojrilat”, dramë, 2008,
18. “Një rrugë për liri”, monografi, 2009,
19. “Etje për dritë”, dy drama, 2009,
20. “Zejnullah Zejna”, monografi, 2011,
21. “Nëpër vendin e trimërive”, portretime satirike, 2011,
22. “Shtetthasit”, roman, (vëllimet I, II, III), 2011
23. “Brezi që përjetoi epokat”, bashkautor me Enver Zhinipotokun, monografi, “Zgjimi”, Ferizaj, 2013
Rrahim Sadiku është autor edhe i disa dramave të realizuara në skenë, I shumë shkrimeve kritike, polemikave, përkthimeve e skenarëve të filmit.
Është baba i tetë fëmijëve dhe jeton në Komogllavë të Ferizajt e në Prishtinë.



 Rrahim Sadiku:

 Në rrugën etje

Jemi nisur pas kohës në rrugën etje
të zëmë hapin e vonuar jetën
shekujt t’i lexojmë së paku një herë
së mbari e të mos na tundin erërat
vonë të mos jemi në epokat e reja
sa më larg nga pafati pashpresa

po kujt t’i themi se po na mbysin plagët
kur qeshje shohin në maskat tona
në mjerimin tonë kur duket lumturi
kur as vetes nuk ia shpjegojmë dot
pse gjithë ky udhëtim rreth e rrotull vetes
pa synim të shkohet ku drita thërret
ku mendja ushqehet e shpirti

flasim
pas kohës në rrugën etje
shpirti e mendja zbrazët
shpirti e mendja



 Dhembje për dashurinë

Ikin vitet e burgut
me mallin
me lirinë etje
me dashurinë dhembje
me pafundësinë e mendimit

Koha ik edhe për ata
që më shtojnë mallin
etjen për lirinë
dhembjen për dashurinë

i tëri kundër tyre jam
muret shndërrohen në dritare
e dritë shoh më shumë se kurrë

janar 1986



 Puhizë përjetësie

Gjethet po valëviten,
srreze përjetësie nëpër lëndinë
përjetësi e flokut tënd në erë
zgjon kohën e shkuar

ah sikur të vdisja mu tash
sikur të vdisja
e gjithnjë të isha me ty

të mos kisha mall
dhembjen as ankth
të vija në takim me ty

tashti je vetëm kujtim
puhizë përjetësie në mendjen time
etje që sa vjen e shtohet

 
 
 
Bregu tjetër

Mes meje e largësisë deti kllapuritet,
Pranë më janë malli, dhembja, mërzia...
O ikni ju lutem, shkoni tej detit, u them.
Sikur nuk dëgjojnë, shikojnë bregun tjetër,
prej nga për lamtumirë ma bën me dorë dashuria....



Dashuri e thatësi

Shkretëtirë shpirti çmallje kërkon mendja
oazë dhembshurije kalëron lotin
digjet horizonti fatamorganë ti grishje
rrëzohem vrapit mallit s’i vë dot fre
nuk e mas largësinë etja fjalë a shpresë
zjarri merr furi zemrës i hyn nga brenda
nëpër rërën e zhuritur blerimin mbjell besimit
o mos më lë vetëm vetëm mos më lë moj
kam frikë për ty se mos më humbesh mashtrimit
shtretërve të braktisur kërkojmë lumenj vaji
koha hapet rrudhet ne dhembje e kërkim
kushtrim dashurie dalë në botë të madhe
melodi nga kohët e pashkruara nga yjet
kometë mbetemi në feksime bishtëgjta
atë këngën e përjetshme ninulë nëpër shekuj
do të jemi gjallë pasi të kemi vdekur
do të jemi gjallë lidhja jonë
në shekuj të ikur në mijëvjeçarë të vonë
shuhet thatësia shi bie në sy ylber



Rrjedhat e jetës

Rrjedhat e jetës janë të pandalshme,
Sado përpiqemi t’i pengojmë,
Dështojmë doemos:
krejt çka mund të ndikojmë
është se mund t’i bëjmë më të ngadalshme!



Ne nuk plakemi

Ne nuk plakemi, miku im, edhe pse ikin vitët,
jetën e duam fuqishëm
ecjen vertikalisht,
punojmë të jemi të pranishëm shekujve
me nipër, mbesa, miq,
dhe me vepra të dala nga thellësi e shpirtit,
atij shpirti që rinohet e nuk vdes kurrë, sigurisht!


Kujtimet

Për ty ruaj kujtime,
nga largësia ngjizur,
kthyer në largësi,
dashuri e kanë emrin
frymojnë dashuri,
etje brendinë
trëndafil zemrën,
hapin përmallim,
i lë prapa,
më dalin përpara
kështu nëpër vite,
jetës… pambarim...


Me prushin e mallit

 Përfytyrimi dehës në largësi shungulloi,
më mori me vete n’rrugën e shqetësimit,
furi vjeshte trazoi trurin,
gati rrëzoi pemën e dashurisë,
zjarri dogji shkallët ikjes e ëndërrimit.

Hyra në njëfarë kohe, po ngrinte shikimi!
Ia bëra me dorë psqyrimit tënd,
jehonë flijimi kisha jashtë e brenda,
udhë tej horizontesh më ndillnin premtueshëm,
mbyllur brenda vetes në më të ngushtin kënd...

Ah, fill i vetëm në këto gjërësi, thellësi
kah më shkrumbojnë me prushin e mallit,
imgjinatë zgjohet fle ai dell krijimi,
në cilin yll, në cilin planet lulëzon ashtu?
Tërë kjo gjithësi sjell dhembje zemrës e ballit.


Jehet e dashurisë

Nga të gjitha anët vërshon malli
ndjej mbi supe barrën e heshtjes
ku zotëroj një lumë një det një oqean
një gotë një pikë një ide
as veten nuk e përzë tej malit
këndoj për të ikur nga të gjitha
dritëhijet pulsojnë jetueshëm
eja thonë shitueshëm zanat
ndorje tonë je thonë jehet e dashurisë
shoh se vallëzojnë nimfat
një jetë tjetër nis zonë polare në mendje


Fshehtësi e lumturi

Gjithë kjo mërzi
rrethuar dhembjesh e heshtjesh
lotësh
etjesh deri në shkrumb

Gjithë kjo njerëzi
kaq madhështore
kaq e përkohshme
kaq e shprishur
kaq pa sy

Ku ta gjej një skutë
në gjithësinë pa fund,
ku i linduri të mos vdes
i gjalli të mos vuaj...

 Gjithë kjo mërzi
pa e pranuar vuajtjen
bërë hapësirë shigjetimesh...
verbëri, fshehtësi e lumturi....


 Rifillimi

Udhëtoj kah zemra jote
ta gjej brendinë dashuri,
të dal tej dhembjes etje,

udhëtoj kah malli yt
hirin të heq, të shoh flakën,
horizontin shkrirë në dritë,

vetmisë ia kthej shpinën
fjalës ia shtoj peshën,
prek krejt të paprekshmën.


 Andej kah shpresuam

Mund të jem atje
Këtu mund të jem
Sprovur nga fati!
Po ti ku je moj
Etja ime e vjetër,
Malli im i ri,
A je diku gati?!
Do nisim rrugë
Andej nga erdhëm
Andej kah shpresuam,
Kaluam male,
Shtete, kontinente
Burg e liri përjetuam...
Gjithë këto ngjarje
Gjithë këto kujtime
Sikur ndodhën dje!
Etja ime e vjetër
Malli im i ri...
O ku je? Ku je?


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen