Freitag, 19. Juli 2013

Cikël poetik nga Petraq Risto


Petraq Risto

NJË PIKË (.)

Ishte një pikë e thjeshtë . si të gjitha pikat
si shenja që lë kompasi mbi letrën e bardhë
para se dikush të krijoj Botën.
Një pikë e vockël në kërkim të mbylljes së një fjalie
mbase të harruar nga Shekspiri...
Një pikë shumë e vockël: majëz nga bari i përjetësisë
rrëmbyer nga gjarpëri i Gilgameshit...
Një pikë thuajse e padukshme: njollëz loti zvogëluar me lupë ligësie.
Rrotull asaj pike u mblodhën të gjithë
të mëdhenj e të vegjël
shikonin njeri - tjetrin në sy
për të zbuluar
nga cila retinë
kish rënë.

SHIU

Ky shi i butë qëmton ëndrra lulesh, loz me puplat e zogjve
Rrokulliset gazmor mbi pendë rosakësh, ky shi i butë.
Bie mbi çadrën tënde të kuqe: tempulli ku afrohem
Pik-pik, pik-pik sikur bie nga një fjalë e urtë.

Ky shi i butë bie vertikalisht si një haik i Basjo-së
Përkthehet horizontalisht në treqind gjuhët e Botës...
Hidhe çadrën, me fytyrë nga qielli prit pikat e shiut
Pik-pik, pik-pik: fjalë e urtë, kaq joshës...



LORKA QAU PARA PUSHKATIMIT

Spanja ngulte thonjtë në duar: zjarrin e gjakut lotët s’e shuajnë.
Qau, si fëmijë qau, me zë qau
Bajonetat: brirët e demit të zi që Injacion vrau.
Qau. Ushtarët fshinin faqet e nxehta te kondaku.
Lorka kish njëmijë fëmijë me njëmijë nëna prej brumi qiellor. Qau.
Hëna lart - peng. Do të vrasim Hënën, apo mishin tënd të zjarrtë..
Jo Hënën, jo Hënën, Vrasës!
Shkrepin armët s’qëllojnë me plumba po me shegë të çarë
Shegët buzë Guadalkivirit: u thanë.
Pushkatuesit shihnin lotët tek bëheshin sy
Poeti: njeri me njëmijë sy?...

Qau. Ushtarë, hiqini gishtat nga këmbëzat
këmbëzat bëjini vegje për lotët
të shëtisni nesër me lotët e Lorkës...



TI MË FLET PËR DASHURINË

Ti më flet për dashurinë
unë shoh si pshurret engjëlli i shatërvanit…
Ti më flet papushuar dhe unë shoh: engjëlli s’e ndërpret ritulin e ujshëm
Kjo ndodh ngaqë engjëjt nuk vuajnë nga prostati
Madje nuk dinë se çfarë është seksi (normal apo i dhunshëm).
Ti më flet për dashurinë si të kesh ardhur nga Derë e Kamasutrës.

Ti më flet për dashurinë
Dhe unë të dëgjoj duke të urryer pak nga pak
Si i plagosuri kur sheh duart e vrasësit me gjak.

Ti më flet për dashurinë
Dhe unë shoh si kërcejnë gjinjtë e një vajze
(a dihasin gjinjtë nga vrapimi?)
Mos më fol më gjatë, të lutem
Lermë të dëgjoj këtë vajzë tek u thotë degëve të vjeshtës:
Pranvera nis nga ledhatimi…


NGA BOTA E PËRTEJME U KTHYE NJË NJERI

Më në fund
nga bota e përtejme u kthye një njeri
i veshur si në ditën e vdekjes
me një karafil të kuq
te xhepi i xhaketës së zezë
te xhepi sipër zemrës.
Tepër serioz
ecte mes dëborës që binte
në mënyrë habitore.
Kureshtarët shihnin se ai linte gjurmë
se kish veshur po ato këpucë të zeza.
Duhej të shikonte
sepse i mahnitur nga dëbora që binte
ngriti kokën nga qielli:
abetare nga binin shkronja dëbore
dhe nisi të lexonte.
Kish mbetur i ri
si në ditën e vrasjes
dhe pak rrebel si atëherë
Papritmas mblodhi dëborë të bardhë
dhe me të bëri një njeri
të cilit i vuri në gjoks karafilin e kuq.
S’u kujtua për plagën e tij
sepse papritmas
ringriti kokën nga qielli dhe klithi:
s’e dimë nëse
shkronjat e dëborës
ia zbuluan sekretin
apo karafili.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen