Sonntag, 21. Juli 2013

Ervin Hatibi

Ervin Hatibi u lind më 1974, në Tiranë dhe studioi për frëngjisht në Institutin e Gjuhëve të Huaja. Ervin Hatibi është një artist i kompletuar dhe në zhanre të ndryshme. Ai është piktor, shkrimtar dhe gazetar. Ai arriti te publikonte vëllimin e parë me poezi në prag të fundit të periudhës së diktaturës, kur ishte vetëm 15 vjeç. Mes veprave të tij përmenden: “Përditë shoh qiellin”, (Tiranë, 1989). Poezi (Tiranë, 1995). Pasqyra e lëndës (Tiranë, 2004). Republick of Albanania (Tiranë, 2005).
 
 
POEMTH PËR DON KISHOTIN
 
Unë Kishotin që i vogël e njihja,
Nga filmat e njohja Kishotin e Mançës
Ah, unë, sa e doja, unë fëmija
Atë dhe Sançon e Pançës. 
 
Unë nuk e dija mirë seç ishte
Ai burrë i fandaksur me mjekër e ushtë,
Por di se mendjen për aventura e kishte,
Mendjen të mjegullt e zemrën të prushtë.
 
E doja se ai veç luftën donte,
Luftën e nderin e rregullin kalorësiak,
Ah, plaku i mjerë të pambrojturit mbronte
Dhe qaja kur e qeshnin tek shtrohej ne dajak.
 
Ah, sa mërzitesha ndërsa të tjerët qeshnin,
Tek e shihja në krahë mulliri, nën tallje,
Donte atë që njerëzit s’e deshnin,
Kohën e vdekur e të nxjerrë në shpallje.
 
Dhe merrja dërrasat e shpejt gatitja
Mburojë e ushtë si Don Kishot
Dhe nisja gjithçka e përsërisja,
Princeshave të rrëmbyera u dilja zot.
 
Në ndryshim nga idhulli im mendjeçalë
Sanço nuk kisha, nuk gjeja dot,
As Sanço e as Rosinant brinjëdalë
Por drurin e haja si Don Kishot.
 
Sa për Dylqinjë, as bëhet fjalë,
Me mua qeshnin dhe me kaq sa kisha,
Por isha i vogël, o miq, i mitur-djalë
Mendjeshkurtër si mançaraku s’isha
 
Hajde-hajde dhe ja, u rrita,
Don Kishot s’u bëra dot
Portën e hapa muzgjesh e prita
Dhe prita më kot një Don Kishot.
 
Kish Don Kishotë, megjithëse pak,
Por rrotën e kohës s’e kthyen dot,
Kish nga ata që derdhnin dhe gjak
Dhe ishin të mençur, dhe ishin gjakftohtë.
 
Nga moti në mot unë u rrita,
U rrita unë nga moti ne mot
Dhe e kuptova, kish ardhur dita,
S’të imitova më, Don Kishot
 
E theva me zhurmë shpatën e drunjtë,
E hodha në zjarrin e kazanit të rakisë
E kuptova pse digjte rakia e shkumtë,
Kish zier me ëndrrën e fëmijërisë.
 
 
PA NDONJË FARË TITULLI
TË RËNDËSISHËM
 
këto netë mbi pjesë qytetesh
këto zjarre të pandezur mirë
qyteti, tashmë, matet veç me të pirë
këta duke mërmërirë
maten me qytetin ( drita brenda mureve )
kjo guerilje tashmë është gati, por s'e di
shohin vëngër, marrin porosi
unë qetësohem, them "mirëmbrëma"
larg qyteti vërtiten fushat
qentë ndryjnë brenda vetes sixhade të shqipërisë etnike
qen të braktisur rruge
që i vret policia me plumb
si fëmijët e paligjshëm në brazil
qentë brenda kanë
qentë brenda kanë miq e vatra
tek angullijnë
me pak evolucion në frymëmarrjet vetëmbrojtëse
me pak të drejtë, me pak arsim ndoshta
ndoshta qentë po lehin, angullijnë
midis semaforësh realizojmë qytetin
të dashurat e njerëzve shtrirë, horizontalisht
kazanet e plehrave të punuar përbrenda
kazanet e plehrave plot evolucion
në qytete punojnë edhe radiot
kur ne flejmë, dikush rri pranë radios
do të doja t'i grumbulloja të gjithë të mbijetuarit
dhe t'ua fikja radiot me një gjest të butë e kuptimplotë
vetëm tërmeti kur bie na vëllazëron
çdo mesazh tjetër për miqësi
për mirëkuptim
dështoi në homoseksualizëm
qyteti pret ditën kur asnjë
nuk do të kujtohet/kujdeset
për të ndezur apo fikur dritat
të lidhë/zgjidhë këpucët
qyteti na pret solemnë
pret ditën kur paraja fallco
do qarkulloje krenare bri parasë tamam
pret ditën kur nënë e bir nuk do të ndahen më
në prag të maternitetit
po kërthizë për kërthizë
të mos shqiten kurrë
gjer në vdekje
ky qytet nuk ka nevojë
që këngët të kenë fjalë e njerëzit gojë
kërkon të na i falë/ngjallë
shkronjat në tabela
me emra sheshesh, rrugësh
që janë emra prindërish tanë a kushërinjsh të vdekur
apo emra me numër datash të caktuara fitoresh
datëlindje
që përkuan tek përkojnë me orët tona
unë nuk besoj të jem duke folur
për kthimin e mesisë
dëshmova për pushimin e afërt të gjakderdhjes
dhe për shqisën harmonike
asgjë më tepër
dëshmoj për fundin e gjakut
motra, mos u trembni
emëroheni
të virgjëra gjer në vdekje
fëmijët mos i pritni nëpër javë
qyteti nuk pret më vizita
e ju mos pritni vizione të reja
këto orë janë dritaret e fundit të qytetit
nuk e di nga i di gjithë këto gjëra natën
po prapë dëshmoj se e ndjej
fundin harmonik; e kanë ndjerë edhe baballarët
të papërgjegjshëm
fill pasi lageshin nëpër mishin e dyshimtë që më polli
e ndaluar.
 
 
ME TITULL
 
Ditën notojnë përkitas
Me ijet e mija
Ca sardele konserve në valë të vakëta
Jashtëqitje anijesh të rënda
E dielli prishet në gjumë, pikon jargët në ijet e mija
 
Ka anije burrash e grash
Tamam si edhe vë-cë
Anijet që ikin janë anije të grave
Përtej në brigjet përbri i zbresin
Nënat e fëmijëve tanë
I shkarkojnë nëpër netë e netët i qepin
Në sahatët diellorë të piacave plaka
Anijet që vijnë janë burrash
Të parfumuar e të lodhur
Burrat e huaj na sjellin stofra e bulmet
Plus makina elektrike
Plus çdo gjë tjetër të re që bën fjalë
Për këtë dymijëvjeçar që zhduket
Jemi kredhur kështu me portet për qafe
Si me ca dëshmi penaliteti
Jemi kredhur në këtë det bluxhins
Pa përfillur asnjë simbolikë
(Ku dreqin më çojnë velat e tatuazheve)
Nofullat plaka të ujit m'i përtypin ijet
Dhe interesohen
Pyesin për Noen
 
Në ujë e në tokë njësoj jam, i zbathur
Këpucët i harrova në derë të faltores që ma prishën
Shumë e shumë kohë para se të lindte im atë
(Ku është ishulli, ku zërat e dyshimtë e zjarri)
Rëra e ëmbël e vdekjes m'i përmbyt gishtat e lagur
Dal në plazh
Plazhi me bishta cigaresh, turistë
Plazhi i shitur me bishta cigaresh, turistë
Më tej është rruga, aty fshati, përtej qyteti
Kjo është bota, ndanë rrugës është dhija
dhe një tjetër grua e cjapit
Nënë fëmijësh që e përçmojnë
Nëna mjel dhinë, ndanë xhadesë
Për të prodhuar kremin për fytyrën e llërët me vrima
ku strehohen verat që ikën.
Harruar shtëpia e tyre ku unë
shpëtova
duke u martuar me nënën e tyre
Që më përçmojnë
Aty rrojmë për inat të turistëve
Që t'u shërbejmë
Jetojmë tërë vitin me atë që ata tërë vitin kursejnë
E vjedhim botën nga ky cep i vogël fare ne
Aq sa mundim, kurrë sa ç'mundohemi
U shesim qumësht të freskët për banja si edhe shalqi
Na blejnë edhe kapela të thurura me duar
që rriten aty nëpër ligatat pas shtëpisë prej eterniti.
 
Hapen në rërë çadrat e plazhit, tej xhadesë
së veturave, që po digjet -dridhet
tej brezit me plepa, më ler të shikoj, lermë
brekët e vogla si hapen mbyllen nëpër ecje grash
tërhiqen, mblidhen ngushtë tetëkëndëshe si harta të Indisë
që u nisëm ta pushtojmë qysh fëmijë
Por përfunduam duke zbuluar Amerikën
Natë për natë të neveritshme në martesa shtrati
teksa larg dëgjohen dritat e hotelit
Djersa e saj përmbi mua është benzinë
(Benzinë e bojë poemash Ervin...)
 
Në darkë numëroj monedhat, nuk lexoj më
Nuk pres rimat, fëmijët e vonuar pres
që s'di të kujt janë
Nga larg vjen afshi i dadove të hekurudhës së rrënuar
Pres fëmijët dhe shoh televizion, ose brekët
e zeza me dantella të detit larg atje
Mbi kofshë marramendëse të qiellit
plot dhjamë të zbardhët pilotësh
 
Fëmijët janë kornizat e dritës së hënës
Ose të hotelit
Janë një gardh i zbardhur fëmijët e mi, gardh
që rrethon gëzimin që mbaron
të turistëve që vallëzojnë tek holli
Fëmijët
nuk duan të vijnë në këtë shtëpi
Pastaj ata vijnë, unë fle
Djersa e tyre është koka-kola
koka- kola- koka -kola -koka- kola
(Të pagëzoj në emër të atit, birit
e shpirtit të shenjtë amerikan)
Kalojnë yjet, teatër dritash në tavan
prej makinave që në rrugë ikin
Lotët e mi janë qumësht dhije
E i pi një gjarpër thatim
Unë mbase desha të kem fëmijë
Ose që fëmijë desha të më dilte nga shpirti
një vjershë për nënën
dhe rrija symbyllur,
pa marrë frymë me lapsin në gisht
Ishte si një bindje e po asaj moshe
se edhe gruaja e burri po ashtu e mbajnë
frymën symbyllur, dhe barku mbushet
i gruas, me një mjegull mishi
Por, s'e pres më atë vjershë të lindet
Jam kaq i poshtër dhe serioz
I zhytur kokë e këmbë 
Në këtë jetë bluxhins
E vetmja gjë, të cilës ia arrita vetvetiu
kur hapa sytë
ishte se qeshe vjetëruar ca,
siç rëra nxehet nën diell
Dhe një turist më kishte vjedhur në tezgë
kapelën e tij të kashtës
 
Huazuar nga Revista ADMET

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen