Sonntag, 21. Juli 2013

Poezi kushtuar poetit Ali Podrimja


Panoramë poetike në kujtim të korifeut të vargut shqip Ali Podrimja, me rastin e njëvjetorit të vdekjës.



NAIM KELMENDI

POETI DHE VDEKJA

(Ali Podrimjes)

Vdekja dhe poeti asgjë të përbashkët nuk kanë

Mund ta lësh veç shpirtin shenjt ku të duash
Në një rrugë franceze sikur bëri Ali Podrimja
Gjithkund në Evropë apo botë apo dhe në Ballkan

Ngase vdekja dhe poeti asgjë të përbashkët s’kanë

Kalon veç vigun siç thoshte Azem shkreli dhe shkon
Përjetësia është e poetit dhe aty vargu t’kujton
Mallëngjyeshëm gjithmonë në rrjedhë kohërash
Dhe shpirti yt është gjithkund e në secilin varg
Ligjërim rrugëtimesh dhe agimesh dhe kujtimesh
 

Ngase asgjë të përbashkët nuk kanë poeti dhe vdekja

Veç ndërron formë jeta e vargut dhe fjala e tij
Ligjëron dashurinë e përjetshme dhe merr pak nur
Të përjetshëm mbi emrin, mbi fjalën e pathënë mbi kohë
I bie cep më cep atdheut siç e do te tërin deri në fund
E bëhet i lashtë sa jeta, sa koha dhe bleron rrënjë në gur

Ngase s’kanë asgjë të përbashkët vdekja dhe poeti

Ligjërim i bukur rrjedhë fjala rrjedhë, vargu dhe pak zjarr
Shpirti aty ku e kanë lënë dje në ditën që harroi veç orën
E kemi në log t’kohëve mengjeseve e mbrëmjeve e mesjetëve
Gjithmonë në hirin dhe në shkrumbin e fjalës tij digjemi ngapak
Dhe ngrohemi e zgjohemi e gjejmë hijen e tij në secilin breg deti
S’kanë asgjë të përbashkët vdekja dhe poeti


____________________


JETON KELMENDI

TI VETËM IKE PREJ VAPËS
Për Ali Podrimjen

Ike
Të mos e shihje ikjen tënde
Dhe vajte përtej dhenave,
Në atdhe të Sartrit,
Balzakut dhe Zhak Preverit.

Atje kapërceve tana ikjet

Thonë në Gjakovë
Kur lindi Ali Podrimja
Lindi për t’u bërë poet.

Me fjalë në gojë ike
Pa na rrëfyer deri në fund
Ëndrrën për Atdheun,
Ashtu disi
Krejt si poet shkove.

Pse kaq shpejt, o Lum Poeti?

N’atë jetë më i riu je
Dhe kur të takohesh me miqtë tu
Merre me vete Lumin
Lum Poeti.
Karvani i Bardhë është zbardhur
Edhe më shumë,
Tregoji Azem Shkrelit.
Verë e vapur ka marrë sivjet në Dardani
Thuaji Rugovës,
Siç e do rendi,
Në vendlindje kur të shkosh
Din Mehmetit tregoji
Se Evropës i ka arritur letra
E Din Bregut.

Përtej zhgjëndrrës
Tani ka dalë të të presë
Pano Taçi
Edhe Ndoc Gjetja po të pret
Në Lezhë
Të lumtur janë
N’atë botë, lum Poeti,
Këndej le vetëm gjurmët.
Na poç vera
Sivjet
Mik i dashur,
Ti vetëm ike prej vapës.


____________________


ELINDA MARKU

Po thone…

Po thone se vdiq Ali Podrimja
T’u thafte thasha
Qysh vdiska poeti!!!
Poetit i ka ra
vdekja hasha.

Kish thanë Podrimja…

Ç’eshte kjo dyndje kaq e madhe
Me shku n’mort te pavdekshmit
Me qa me lot famoz nje poet
Qe nuk ia ndjen per vdekjen.
Kish thane Podrimja
Ne mos nuk u shkruj ma
Nuk ken pse me ba si te terbumit e dhimtes
Une e di si dhimb vdekja e te dashtunit
Ta dini se nuk u dhimb ma shume
Se me dhimbi Lumi mu
Provojeni per here te pare ne jeten tuj
Te mos shtireni s te mire ne vdekjen time.
Nuk kam vdek, jo!
Kam shku mbas Lumit
Shkova se kam çka ti kallxoj.
Paj, Kosova u çlirua!

21 Korrik 2012

____________________


SINAN KËRPAÇI

BLLOKU IM

Poetit Ali Podrimja (1)

Ushtar isha, ushtar jam, ushtar do te jem
në komandën “ Për nder armë!”
pranë vargut tënd Ali Podrimja.
Në bllokun tim asnjëherë nuk shënova
kalibrat e armëve, por të vargjeve të tua,
asnjëherë nuk shënova distancën
e fuqisë shpuese të plumbave,
por të vargut tënd Ali Podrimja,

asnjëherë nuk i mësova kompletet
luftarake të armëve, por titujt
e librave të tu s`i harrova kurrë,
s`i harrova kurrë, o “ Lum Lumi”

Sa herë që komandanti më pyeste:
ushtar Kërpaçi, ç`e ke atë bllok,
i përgjigjesha: ështe ky që më mëson
si të vrapoj transheve dhe të kap pozicion.

Ushtar isha, ushtar jam, ushtar do të jem,
por jo në komandën “ Për nder armë!”,
në komandën: “ Për nder Ali Podrimja!”

1.Kur isha student në shkollën e oficerëve në vitet 1977 – 1980 në një nga xhepat e shumtë të uniformëstime ushtarake unë do të kisha përherë një bllok sagjysma e pëllëmbës time të vogël me vargje të poetit Ali Podrimja.

____________________
 
 

MENTOR THAQI

SHEMBËLLTYRË N´KREATYRË

përvjetorëve
përveç kujtesës,
ç´t´iu shtojmë tjetër

dhimbja,
petku më i ngushtë


rezyme e saktë
vetëm shembëlltyra
dhe kreatyra

Ai dhe kërcimi dallëndyshë,
një e plotë në dysh

unë, n´tijin varg
n´lexim shoh largë

edhe ato që s´na i tha,
të shkruara na i la

nuk pat kohë
pas t´rishoh,
përveç ecjes para
kah e mbara

takimet, kuvendimet
ke "Burgu i hapur"
kur hudhej "Zari",
"Buzëqeshje në kafaz" mbetën

as "Credo", as "Torzo", as "Ditar i ankthit", ...
ai "Fundi i gëzuar",
(s)bëri prishje rendi,
"Loja nën Diell"
nuk mund të shkon "N´bisht t´sorrës"

eh, i lumi unë "Lum-Lumi",
"Ishulli Albania"
Emrin tënd mbanë
o Ali Podrimja

paj, më shumë se kaq
s´bëri kush dot
atë ditë e sot

facoleten e vajit
t´ia lëmë muajit Maj
që t´thanë atë vajë

Ti je aty
ku i thonë Shqipni,
pasha k´ta dy sy,
se "Tokë me nda nuk kam,
në .... hasmi, ....,
duhet të mësohemi me vdekjen ..."!

VS., 21.07.2013

____________________

 

ZYBA  HYSA

Në lumin e Lumit shkoi…

(Poetit Ali Podrimja)

Një drithmë athtime më pushtoi shpirtin,
Mornica – mornica, dhembja trupin pulësoi,
Zemra papandehur u mbyt… ndryshoi ritmin,
Poet – poeti në lumin e Lumit të tij shkoi…

Si vallë më ndodhi kjo gjendje kaq tronditëse,
Asnjëherë se kisha parë nga afër, poetin kosovar,
Mos vallë poezia mes poetësh bëhet lidhëse,
Muza mike e përbashkët, të bashkuar na mban…

S’di, çfarë u shkëput nga brenda qenies sime,
Ndjej një dhembje që dhemb thikë më thikë,
Lotët më vërshojnë… qaj… gjer në klithje,
Lot rrjedhin nga librat e tij poezitë…


Vargje të pa shkruara…

U nise,
Drejt Francës me xhepat e mbushur plot,
Me vargjet e pashkruara ndonjëherë…
(Sa shumë…)
Rrugës,
Fusje dorën dhe,
Si petalet e trëndafilave që i hedhin nuses,
I lëshove përmbi Kosovë, Camëri,
Ulqin, Tetovë…
Një grusht,
I hodhe mbi Vlorë,
Përmbi Shqipëri,
Për 100 vjetor…

Kur Ti mbushe 60 vjec,
Ditëlindjen e festove në Vlorë
E Vlora të gatoi tortë muze,
E Ti shjkove poezi,
Ku vargjet mbuluan gjithë trojet tona,
E celën dritë për sytë tanë,
Si nuk prite të shijosh tortën e saj?!
E ke lënduar,
Mes gazit të festës,
Për ty, do të qaj…!
 
____________________


SADIK KRASNIQI

Ali Podrimjes

Ai është te Lumi i tij
eh sa moti te ai është nis

udhë e gjatë deri te ai
përtej dimrave të mërzisë
përtej pranverave me pikëllim
përtej vjeshtave me mall e shi

me diellin e verës në krye
udhës së moçme
udhës së shkretë
mes permes Ulpianës së tij

nën hijet e qiparisave
s´la varr pa çelë
mos mshifet Lumi
nën pllakë mermeri
ta shastisë babin
për mahi

Ai shkoi te Lumi i vet
udhës së dritës
përtej kohës
përtej galaksisë

ai është te Lumi i tij
u bë Lume Plaku
i lumi ai
oi oi oi oiii

____________________


HAXHI MUHAXHERI

LUTJE PËR POETIN
/Shkruar pas marrjë së kumtit për zhdukjen e poetit/

Zot
na e kthe  poetin
ai veç lule mbolli

Me këngë mundi të keqen
e shpirt i dha dashurisë

Nga ashti i shpirtit e bëri fyellin
për të lozur melodine e atdheut

20.07.2012

ÇOHU POET

Nuk jam engjull
Në tempullin e durimit
As memec i përgjumur

Zotin mallkoj
Që as kokën e ktheu 
Kur Kosovës ia lidhje plagët

Çohu poet
Se përseri 
Po „Tkurret Atdheu“

Çohu e zhvishi
Të gjitha marrëzitë e kësaj bote

Europa prapë fle
E djalli ngre krye
Dritën për ta ndalë

Çohu për tokën dardane
Për „gjakun që nuk falet“

Çohu Ali Podrimja
E ti zëm pusi të keqës
Se koha nuk pret

17.06.2013

____________________


FEHMI KORÇA

ALI

Pse ike ne amshim
e vargu na mbeti peng
poeti yne ALI...
te dashtem me zemer
se ti ke nje emer...

Por edhe ne parajse
do gjeni lumturi
I madhe do mbeteni
Ali poeti-Njeri!

Njeriu per njeriun
te behet kandil
miresin e humanizem
le ti mbaj ne shpirte.
Thoshe ne vargun
kur i thurre njerzimit
Poeti i yne ALI...

Poet fjale embel
qe njeriut i fale dashuri
eshte vlera qe do ruhet
E loti...loti
rreshqiti padashje,
mbi vargun tend ALI !

Kirchenthumbach

____________________


QEMAJL JUNIKU

IKE PA FJALËN E FUNDIT
Mikut tim –poetit Ali Podrimja

Ike me Kosovën e strehuar në gji
Gjakun e saj kurrë mos ta fal
Gyrbetit kujtimet i lidhe dry

Miku im i shtrenjtë
Pa thënë asnjë fjalë të vetme ike
Vetmisë tënde pikëlluese
Në çdo cep të botës
Lule Kosove mbolle
Me afsh zemre këndove shqip

Me ujq rrugëtove
Jetëshkretës
Me këmishën e shqyer të vatanit
Lirinë e shpirtit për ta kërkuar
Kur zoti e kishte harruar popullin tënd
E thika e pabesive të therte thellë

Ike
Shpirtëdjegur
Me copëzat e dashurive të shkrumbuara
Me trëndafilat e shpresave të shpirtit flakë
Këlthitjen e parë të lindjes për ta kërkuar
Një copë tokë për varr
Evropës dinake që kombin ta përbuzi
Shekujve të çmendur

I rebeluari
Miku im Ali
Ike shpirtëmllefosur
Me kujtimet e viteve të anktheve
Kur servilet kurthet ngrehnin

Të gjitha ëndrrat e Erenikut tënd
I more me vete
Peshqit e fëmijërisë së Krenës
Gjakovës së plaguar kohërash të pista
Kur gjarpërinjët i dredhëshin trupit

Eh miku im Ali
Zemërplasur ike
Me gugimën e përvajshme të pëllumbave
Foleve të djegura
Agimet e mjegulluara për ti ndritur
Hija e vdekjes Kosovën të mos e errëson

Me mallkimin e vetmisë pikëlluese
Ike
Pa fjalën e fundit
Mbi kullën e Ajfelit u ngrite
Zotin për ta kërkuar
Kosovën amanet për të ia lënë
Dashurinë tënde të fundit...



____________________
 
BEKRI S. MURSELAJ

IKE NË AMSHIM

Botës i le vargje shpirtin ta freskon
në kohë të zymta
u nise udhës botës përjetësisht
mendje ndritur shpirt butë

kërkove aromën e lirisë
vargu yt do të shndrris në bibliotekat
e Parisit, Romës, Berlinit, e Londrës
ike në amshim
udhëve të Francës pa asnjë fjalë

ty do të mbaj mend gjatë atdheu
si shumë shokë të tjerë poetë
ike për t’i kënduar atdheut
tash atdheu ty të kujton

21.07.2012



_____________________


ENVER SULAJ

KRAHPËRKRAH ME VETEN

Poetit Ali Podrimja- disa orë para se të gjendej i vdekur

Diku keni me m’gjetë
e unë s’kam me mujtë me i pa ma sytë e bukur
të çikës që di me vajtue dhembshëm e me t’shti n’dhe
me atë gjamën e saj epike

Due me e shkel gurin fort me kambë
e me pa a muj me ec krapërkrah me veten teme

Mos u lodhni duke m’kërkue atje ku s’ka kuptim vetmia
Atje ku fjalës i kanë vu therrë te dera e shpisë
e s’e lanë me pa fundin e rrugës ku pluhnin e ngrit nalt edhe fryma ma e lehtë

Unë dola sot skaj lumit për me ia pa edhe njiherë brigjet gropa- gropa
Që ia shkaktuan reshjet e shiut në stinën teme që s’mi teri kurrë sytë

Më lini të qetë, o miq, të luej me guralecat e bardhë aty ku s’më njeh kush
veç Lumit tem që ma njeh vetminë
e dhembjen....


____________________


Miltiadh Davidhi

 SHËTITJA E FUNDIT 

                           Poetit ALI PODRIME
 
E bukura është një grackë e përkryer
Për të kapur flutura ndjenjash, është shëtitje magjike
Për të mbërritur nëpër rrathët e parajsës,
Është ujë i kaltër deti që fal ndjesi të lumtura
Dhe mbytëse për shpirtrat e bukur,
Është një vizitë në planetet e pafund të Universit,
Nëpër yje që lindin e vdesin, ashtu, në heshtj...
e
E plot ngjyra,
Është pyll me drurë ëndrrash e lule erëmira,
Që deh të blertën shlodhëse e ajrin,
Dhe ngop mushkri vargjesh të etur për frymëmarrje.
E bukura është fllad ere, drite e kaltërsie,
Që ulet e prehet mbi gjethe qetësie
Duke shkundur lodhjen prej krahëve të tua.

Dhe pse, në shëtitjen e fundit, e bukura e shpirtit
U ngjason bletëve të mira
Të etura për punë e fluturime,
Për t’u kthyer e ngarkuar me polenin aq të domosdoshëm
Në formimin e mjaltit të denj për kosheren e poezisë botërore.
E bukura futet dhe në trupin e zogjve, në fijet e barit
E buzët e erës, e këndon me zërin e tyre
Nga pema në pemë, nga gjethja në gjethe, nëpër qiej pyjesh të lirë,
Ndonjëherë, duke e humbur rrugën për në kthim
Dhe gjetur veten në pavdekësi të syrit të erës,
Të lotit të gjethes dhe pikëllimit tim.

____________________

AGIM GASHI

KËNGË PËR ALI PODRIMJEN

Moj sharki, pse rri e zgjueme,
E s‘e merr ti nji sy gjumë?
Jo, i dashtun, s’kem me fjetë,
Pa e krye nji t’madhe punë.
Zgjohu në kambë e harro dhimbjet,
Telat mirë me m’i shtrëngue,
Poetit t’Madh, Ali Podrimjes,
Nji kangë vaji me ia këndue.
Ah, sharki, ma e madhja mike,
Në këtë botë veç ti m’ke mbetë,
A përnjimend Ali Podrimja,
Atje n´Francë ka ndrrue jetë?
Jo, i dashtun, s’ka vdekë Aliu,
Por ka shkue në tjetër dhe,
I kish çue haber Lumi,
Me u takue të dy atje.
Shkoi te Lumi e s’kthehet ma,
Por la emnin e vepra plot,
Toka e Arbnit e kombi i tij,
Do t’i nderojnë për jetë e mot.
Ah, sharki, qofsh e bekueme,
Qajmë e këndojmë sot që të dy,
Për poetin e madh të kombit,
Ali Podrimjen dhe veprën e Tij!

27.07.2012

Düren
___________________
Përgatiti: Mentor Thaqi

 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen