Freitag, 6. September 2013

Myzaljen Hoxha: Cikël poetik

“Vendet më të errta në ferr ruhen për ata, të cilët
bëjnë sehirxhiun, në kohën e krizave morale”.

                                                DANTE ALIGIERI

KOHA

Vallë ç’është koha,
që e duam kaq shumë?
Është vetë jeta jonë,
që rrjedh e pagjumë.

I ngjitim epitete:
e mirë dhe e keqe,
harrojmë që vetë koha
është një dhe e vetme.

E mburrim: “Ç’kohë flori!”,
kur mirë punojmë herë-herë,
por nëse punojmë keq,
e shajmë: “Kohë skëterrë!”,

Ajo e shurdhët, e qetë
rrjedh: me sot ... me dje,
si të dojë të na kujtojë
se vetë koha jemi ne.




TEATRI

Teatri është skena ku takohen artet.
Është arena ku arti kthehet në jetë.
Pika e horizontit sallë-skenë,
pavdekësi e jetës,
pambarimisht, kështu do të jetë.

Teatri përherë ngacmon,
thellë vetëdijen tonë, dhe flet :
Përse puthja njerëzore duhet lexuar ?
Përse mosha e tretë duhet nderuar ?
Përse universi grua duhet njohur ?
Përse fëmijët duhen mbrojtur ?
Përse atdheu duhet dashur ?
Përse tradhëtia shpaguan një ditë ?
Përse paraja nuk e blen dot famën ?
Përse vesi është gjiriz i pistë ?
Përse virtyti është plot dritë ?
Përse shpirti njerëzor është i dlirtë ?
Përse jeta nuk duhet vrarë ?
Përse dashuria nuk duhet braktisur ?
Përse vuajtja nuk duhet përbuzur ?
Përse e ardhmja nuk duhet stisur...?

Teatri është skena ku takohen artet,
është arena ku arti kthehet në jetë.



TERRERRESIRRA E FERRIT

Indiferenca nuk është jetë,
por, pesha e vdekur e historisë që na ndjek.
Materje inerte që i fshihet gëzimit,
dhe e fundos në moçalet e qytetërimit.

Indiferenca gëlltit të diturit,
në thellësitë e urrejtjes së stisur.
Fataliteti nxjerr bisqe në shpirtin e të uriturit.
Inteligjenca ndrydhet dhe shtypet,
nga injoranca e bezdisur.

Fataliteti shkatërron gjithshka dhe të gjithë.
Histori brenda së cilës ne jemi viktima.
Masa njerëzore indinjohet dhe zemërohet,
me dije e pa dije,
me dëshirë dhe pa dëshirë,
kur kemi vepruar keq,
apo kemi qenë indiferentë dritë-hije.

Masë njerëzore që ligështohet,
e heq dorë nga vullneti.
Që veçohet, e i lë gjërat në dorë të fatit.
Natyrë salltaneti !

Që tërhiqet, dhe krijon nyje gordiane,
që vetëm shpata mund t`i zhbëjë.
Që lejon shpalljen e ligjeve,
që mund t`i shfuqizojë vetëm rebelimi.
Që ngre në pushtet gjysma-njerëzish,
që zëri i padëgjuar bëhet proces shëlbimi.

Turma e njerëzve di se ç`kërkon,
që të shpëtojë nga vetëshkatërrimi.
Ajo thotë se kush është fajtori.
Lebetitet, ankohet dhe mallkon me devocion,
dhe as një njeri i pushtetshëm s`dëgjon.
Kjo ndodh rëndom, ..... dhe gjithmonë.

Fataliteti duket që dominon,
me pamjen e gënjeshtërt të indiferencës.
Fatet e njerëzve manipulohen,
vizionet, konceptet dhe qëllimet mohohen.
Nga ambicjet dhe pasionet,
e një grushti njerëzish të tjetërsuar.
E keqja është :
Se e drejta del në dritë,
kur pëlhura e endur në hije ka përfunduar.

Ka pak njerëz dhe askush, që fajësojnë vetveten,
kjo nga indiferenca jonë plot “nur”.
Indiferentët s`kuptojnë vlerën e ideve,
probleme ka, .… dhe zgjidhja nuk vjen kurrë.

Kontributi i tyre në jetën reale,
nuk animohet nga asnjë ndjenjë morale.
Indiferentët, ”të pafajshmit e përjetshëm” i përbuz.

Unë i urrej indiferentët !
Kriza është e tyre,
dashuria është e imja :
Fjalë e ngrohtë dhe e fuqishme në buzë.

Unë nuk pranoj asnjë njeri,
që sot rri në dritare dhe bën sehir.
Kur ka njerëz që vuajnë dhe sakrifikohen,
ndërsa indiferentët zhgënjejnë,
dhe vetë poshtërohen.

Jeta dhe indiferenti,
borxhli i madh për atë që i ka fal.
Nuk ka përse të ketë keqardhje për ta.
Nuk ndaj lotët e mija me të tyre.
Të ardhmen e ndërton gjithë qenia ime,
jetoj dhe ndihem i madhuar në vetëdijen time.

E ardhmja !
Asgjë nuk ndodh rastësisht.
E sotmja :
Eshtë e ardhmja që po vjen marrëzisht.



GJUHA SHQIPE

Paradoksi dialektikor,
një mendësi e njeriut krahinor.
Përplaset me të tjerët dhe bën retorikë,
grindet me vetveten dhe bëhet sarkastik.

Ngarkesa emotive,
me indet e mendjes bën kakofoni.
Me “telat” e zemrës,
ndjenja e fajit bëhet blasfemi.

Përkufizimi shkencor,
një standard gjuhësor, një mrekulli.
Gjuha jo vetëm komunikim,
por, .... dhe arsye njerëzore e njeriut-hyjni.

Anakronizmi sentimental,
ngarkesë e pamasë emotive.
E ngjashme, të preferosh dritëzën e qirinjve,
se ndriçimin modern të energjisë elektrike.

Gjuha shqipe,
krijimi ritmik i së bukurës me fjalë.
Gjuha më e distiluar, më e fuqishme,
vetë shpirti i madh i intelektit shqiptar.



SIMFONIA E JETËS

Jam zëri i së kalurës,
i ngashëryer me brengë.

Jam zëri i së tashmes,
i pastër si vesë.

Jam zëri i së ardhmes,
i mbushur me shpresë.

Jam zëri i simfonisë së luleve,
kur flladi i pranverës i çel.

Jam zëri i baladës së valëve,
kur deti i verës i mbledh.

Jam zëri i vallëzimit të gjetheve,
kur puhia e vjeshtës i zverdh.

Jam zëri i trokamës së shiut,
kur streha e dimrit e rrjedh.

Sa i lumtur jam,
kur dëgjoj tim bir të më thotë:
Unë jam zëri i së djeshmes,
që zëri im i së ardhmes,
të tingëlloj i fortë dhe...
të dëgjohet i plotë.



PIKA E LOTIT

Pika e lotit lind nga dhembja.
Dhembja,
baticë e kripur e shpirtit.
Shpirt i ngritur në tallaze,
balsam i dhembjes së plotë.
Të qarët me gjithë shpirt,
pikë...pikëzë çdo lot.

Pika e lotit lind nga gëzimi.
Gëzimi,
ngrohtësi e zjarrtë e zemrës.
Me zemër mendo të tjerët,
ndërsa për vete, me kokë.
Të qeshurit me gjithë zemër,
pikë...pikëzë çdo lot.

Sot dhembja...gëzimi shteruan ngado.
Qetësia,
zëri memec dhe i humbur i jetës.
Jeta një shkretëtirë Saharaje në kohë,
shkretëtirë vijmë vërdallë e s’shohim.
Të verbër, sytharë prej lotëve,
Sahara,
as veten s’njohim,
as veten s`shoh.



EMOCION

Poezia,
emocion që gjen mendimin.
Mendim që ka gjetur fjalën.
Fjalën që shpreh brengën.
Brenga,
shqetësim i shpirtit.
Shpirt që vuan dhe rebelohet.

Rebelimi,
çelësi i portave të shpirtit.
Shpirt që nëpërmjet rebelimit, qetësohet.
Rebelimi,
politikë afër ankesës.
Ankesa,
mungesë e së drejtës.
E drejta,
bijë e shpresës.

Kur politika të rrëzon,
poezia të ngre.
Kur politika të mundon,
poezia të qetëson.
Kur politika të korrupton,
poezia të pastron.

Kur thonë që arti i poezisë,
s`ka të bëjë me politikën.
Ky është ekstremi i marrëzisë.
Tjetër politikë,
që tek njeriu ushqen frikën.



BJERRAKOHËSIT

Me kohën e kanë, se koha jemi ne,
Nga koha nisen dhe vijnë triumfalisht.
Të zhgërryer, injorantë dhe harbutë,
Pohojnë veten pambarimisht.

Ritual i sektit çudak,
Kokëshkretë dhe donkishoteskë.
Si fëmijë të pasionit të pamatë,
Dalë nga llumëtira e tutorëve të pacipë.

Përballë, njeriu – dhunti, i bukur dhe elegant.
Me forcën e shprehjes,
dhe leksikun e larmishëm adekuat.
Plot brumë, logjikmprehtë dhe inteligjent,
Me stilin që për të, është njeriu vetë.

Thërmokla plot dhembje,
Shpirti bëzënë vërtik.
Si një vijë gjithpërfshirëse, përçonjëse, tejshkuese,
Të binjakëve intelektë – kohë, këlthitës, dramatikë.

Opozitë me pushtetin,
Terapistë të ndërgjegjeve të shqetësuara,
Prijs procesesh, profetë dhe mëkues të ardhmërisë.
Kirurgë të çibanëve në trupin e shoqërisë.

Dritëlëshues të shqiptarizmës dhe mbrothësisë,
Të guximit dhe fisnikërisë,
Të qytetarisë dhe pastërtisë.
Rishtarë të përjetshëm të përparimit dhe lirisë.

Ndërsa bjerrakohësit arkaikë,
Në skutat plot terr, kthina dhe prapaskena,
Luajnë fatet e popullit dhe të vendit,
Në tavolinat e bixhozit politik.

Jo !
Zoti nuk na ka braktisur,
Sepse dhe ne nuk e kemi braktisur atë.
Fati ynë nuk është tragjik,
Pse bjerrakohësit politikë gëlojnë rrugëve.

Shpresa për më mirë, më mbarë është aty.
Midis nesh nuk fle, nuk rresht, nuk është utopi.
Ajo drithëron dhe jeton,
Në shpirtin e madh
dhe të ndershëm të njeriut – dhunti.


Nga Cikli Poetik “TERRERRȄSIRA E FERRIT” 
 ______________________________________
* Bjerrakohësit - Humbësit ose vrasësit e kohës.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen