Dienstag, 24. September 2013

Zejnepe Alili - Rexhepi: Shtatë poezi


Mos më ngushëllo

Ecim gjurmëve të kohës,
të prira nga thundra kuajsh të tërbuar
që verbërisht ndiqen deri në fitore.

Ecim lodhshëm shtigjeve
që se mundin plogështinë,
s’e mposhtin trishtimin e shekujve.

Ecim të tronditur:
ti , unë , ai…
si valë të rrëmbyeshme lumi.
Atëherë... e tani!

Vatra të braktisura...
sy të shterrur, shpirtëra të venitur,
viktima të kohës pa gjurmë.
Me ç’forcë ecim në hap me kohën?!

 

Gjaku trengjyrësh

Pranvera erdhi e zbehtë,
pa gjallëri ishte moti...
këmbëkryq s’u ula në fron
e bindur në gjakun blu,
simbol qetësie e bardha...
i kuq qe turpi që gëlltitëm
në thërrime buke, dekada nën hije.
Çmendurisht më gërryen dyshimi...
Jo, bekona Zot!
Karpatet s’janë djepi ynë,
ne jemi fis I-lirë,
në dej na valon gjaku i kuq
vrullshëm e ndjejmë në kapilar,
emrin Alban apo Shqiptar.

 

Udhëtim nëpër shekuj

Në hartat e çara nga varfëria,
shtrihen copëtimet ilire
kafshuar nga gjarpërinjtë e gjakut!
Sa të tmerrshme qenë zgjimet e kombit,
të thyera imazhet e dritës,
shkretëtirave ku e pashuar është etja.
Mos më zhdukni gjeografinë o të marrë,
as harqet e urave që lidhin miqësi
Për një fron nga Londra, Parisi...
në konkurset e Evropës m’u mposht fisi!
Që atëherë, tonat rrënkime
mbajnë dhembjen e shekujve:
në gaz lotsjellës notonte Kosova,
Shqipëria tretej në hijen e vetëshkatërrimit
që Tetova... Dibra e Çamëria, të luten për mëkatet.
O ju që kuptoni gjuhën time!
Më falni hartën e lashtë të krenarisë
kur joshëse e madhështore frymonte Iliria.

 

Kurora lirie thurin vashat
(Dëshmorëve të kombit)

Më . . . 999 mote rrënkimesh,
lot gjaku, dhembje e zjarrtë malli...
Atje, ku ndër shekuj shqipet ngritën kullat
Se donin fluturimin e lirë lartësive
e qielli të përmbyste barbarët, dhe
bajonetat e tyre të përskuqura
me dashurinë e njomë fëmijërore.
Lotët e nënave, mallkimet e gjysheve
qenë vrer trishtimi për shumë jetë
si hije të stepura shpirtrash të ngujuar.
Fundi i kësaj bote mizore qe dita e re,
lulëkuqet e njoma vaditur me gjak,
kurora dëshmorëve do t’u thuren me mall
nga vashat me fytyrë kah lindja e diellit,
atje ku fillon e mbarron së shkruari historia.

 

Për nder të Lokes

Buzë Vardarit sodisja veten...
Jam pjesë e këtij nënqielli!
Lumi, eh lumi
rrjedh si jetë e trazuar
valë–valë…
si balli i rrudhur i Lokes
lodhur pritjeve
për birin, nipin
ndarjen kujton
sa trishtuese...
Një ftesë për varrin e panjohur
këndeve të Evropës,
ku tretet dashuria
për dheun, gjuhën,
nderin e Lokes.
Na mori lumi,
me valët e trazuara si jeta!

 

Kalimtarët e heshtur

Vit i mbrapshtë...,
si ëndërr shtegtare,
shekull trishtues
në dhembjen që shpërndan
mbi tragjikën njerëzore.
Lot malli e dashurie,
portrete shqiptare,
klithje çmendurie,
kur kujtimet shterren
si hije nate në ndërrim
në valë jete përpëliten
zogjtë e mallit në pakthim.
Njerëzit heshtin nga lodhja,
në fole të vjetër shuajnë zjarrin,
i tret e i josh ardhmëria...
me sy dashurie presin diellin.

 

Shpirti i të burgosurit

Jeta lëngon mbërthyer në pranga
Në kullën me katrorë të gurëzuar
Aty ku deshën të burgosin dhe shpirtin
Të mjerët gjakpirës të etshëm
Prenë shtigjet e mallit për liri
Pranguar në kthinat e kullës së hekurt
Shpirti zvarritet për një rreze pas grilave
E dhembja skalitet në relikt historie
Telat e kafazit shkrihen nga zjarri i lotit
Dashuria pas pak i zbut vuajtjet
Flladi i lirisë miklon shpirtrat e përvuajtur
Ditët marrin ngjyrën e diellit
Sa madhështore dhe e dashur bëhet jeta

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen