Samstag, 14. Dezember 2013

Mark Avdyli, luftari i orëve të para

Nga Prelë Milani

Mark Avdyl Qrimaj (Mërturi)

Pas një koncerti të madh festiv të zhvilluar në Tetrin e Opres e Baletit të titulluar “Nata e madhe e Nikaj - Mërturit”, pata fatin të njihem nga afer me Mark Avdyl Qerimajn, trimin e famshëm të UÇK-së.
Ai më tha: Kam lindur në Ramoc 85 vjet më parë, me fis e me gjak jam nga Ndreajt e Palçit i ardhun në Gjokovë përpara 5 berzësh.
Kam luftue dhe kam ba vetëm detyrën si patriot.
Mue nuk më ka hije me u mburrë, as për vete as për djalin tim dëshmor. Liria nuk fitohet pa flijime. Hallall i qoftë Kosvës gjaku i djalit tim dhe i gjithë dëshmorve të saj!

 

Një Kreshnik i dalë nga orbita e varrosur legjendare!.

Mark Avdyl Qerimaj është një portret interesant, impresionues tek i cili çdo penelist mund të gjejë tiparet autentike, antropologjike të racës sonë të vjetër, i ruajtur si thëngjilli i mbuluar në hirin e drurit të shkozës në një oaz të virgjër Dardanie.
Shtatlidhur më fort se i gjatë, shpatullat e gjëra, ngjitur pas një qafe të fuqishme si të kaut. Ballin pak të shpërvjelur, vetullat e trasha, harkkurorë nën strehën e të cilave shquhen dy sy të zi që shëndrisin si dy vetimë. Faqekuq i shëndetshëm me potencë dhe vitalitet tipik mashkullor alpin. Acarë dhe sherbes, një nga 85- vjeçarët më të jashtzakonshëm që kam takuar ndonjëherë. Nuk e beson kush moshën e tij sepse zelli, forca dhe kthjelltësia i japin gjysmën e moshës që ka mbi supe bisha e vjeter e Gjakovës. Zërin e trashë, por jo të marrun me timbër të thekshëm dhe artikulacion të qartë pa luhatje. Fort lakonik në të shprehur në dukje i ftohtë dhe i vrazhdë, por i matur dhe i qetë në kuvend. Madje i këndshëm dhe i hareshëm në mahi ( humor). Qysh se filloi luftën me UÇK-enë ka lanë mjekrën e bardhe që i varet si bashkë ugiçi deri në krahnor. Musteqet e gjata dydegëshe vesh më vesh, ksula deveje tipike Gjakove e lidhur rrumbullak me fjango të kuqe, sinonim i ngjyrës së flamurit i japin pamjen e një stari të dalë nga orbita e kreshnikëve të varrosur të epikës sonë legjëndare. Si gjatë luftës dhe më pas në brez mban një allti( kobure) 15-she (trofe), të hijeshme me doreza serme të zbukuruar me dorën e vet, pasi qysh i ri ka qënë mjeshter dhe jaran besnik i armëve, prej të cilave kurrë nuk është nda. Bisha e vjetër e Maleve nuk lëvizte kurrë, pa dy (bume) bomba në sjecilin xhep, i gatshëm për t’u ba flakë e tym në çdo moment kur rrezikohej prej hasmit shkja.
Poshtë jelekut gjithmonë ka mbajtur flamurin me shkabë. Gjoksi leshtorë i trimit ka qënë floeja e shqiponjës dykrenëshe kur ajo ishte ndaluar nga herecizmi serb. As në kohën e Rankoviçit, as të Millosheviçit prej ballit të oxhakut të kullës së tij nuk pati djalë nane me ja shkulë flamurin nacional, ndonëse e dinte fort mirë se po t’ ja shihte UDB-ja kalbej në burgjet e Jugusllavisë, pasi Kosova jetonte nën hijen e flamurit të padëshirushëm serb.

 

Baca Mark shpalosë flamurin

Mark Avdyli është nder të parët kosovar që ka nxjrrë në shesh flamurin shqiptarë në vigjilje të levizjes së protestave për të drejta e liri në vitin 1968, është kashagitë randshëm në perleshje me milicinë serbe, madje për këtë arsyje u arrestua dhe u izolua disa muaj në dhomat e paraburgimit në Prishtinë.
Pasha njatë zot si na ka falë jetën, Bacës kij inadin e foli hakun, por ma trim nuk bahet burri në viset tona- thotë Mark Ndreaj nga fshati Meje i Gjakovës.
-Ai në vitin 1994 është përpjekë në mënyrë të befë me policinë. E kishte nda mendjen me u kallë flakë e në dorë të xhelatit mos me i ra për së gjalli Vetëm një i “cokatun”si Baca mund t’i thoshte milicit serb në mes të Prishtinës: Jam shqyptarë në shtëpinë tëme. Ç’ka kije me mue he biri i bushtrës. Se për besë të Zotit po mu afrove të shkyej me thonj si orrli lepurin e nuk kam gajle pse të vdes edhe vetë.(Treguar nga Mark Ndreaj patriot gjakovar i Bacës). Veç Mark Mërturi mund t’i shpëtonte një aventure të tillë pa u piratë hu e me u dergjë në burg pa pikë mëshiret. Polica duke ja njohu mirë qimën ukut, bani njanin sy qorr e njanin vesh shurdh, duke thanë; rujna zot prej këtij shejtani.

 

Mark Avdyli, luftari i orëve të para 

Me fillimin e luftës për liri në Kosovë baca Mark ka qënë një nga inicjatorët e parë në krahinën e Gjakovës. Ai shkonte shtëpi për shtëpi dhe u thoshte: kush të jete mashkull nga 15-80-të me kapë pushken o sot o kurrë. Vllazën mos t’u dhimsen kullat se do t’i ndërtojmë prap edhe ma të mira! Pash bukën që na mban gjallë- u drejtohej atyre që hezitonin e bani llogari cicmice, kur t’ja fillojmë luftës ne të malit edhe ju që doni me fjetë në shtrat me gratë tuaja, ka me ua marrë dreqi kullat se serbi do të hakmerret masivisht kunder gjithë shqiptarve.
Mos t’u dhimset djelmia se serbi do të na lajë pa mashkuj në oxhak, pa nderë në konak, pa fushë e pa mal, pa bjeshkë e pa vrri, pa liri e pa e flamur!
Unë e kam ba pleqinë me dekë dhe kurrë ma i mirë nuk vdes se me vdekë për lirinë e Kosovës!
Unë kam tre djem në emigracjon, por që të tre ja kam falë atdheut dhe në qoftë se vritën hallall i qofshin Kosovës!
- Dhe vërtetë djemtë e tij (Princi, Zefi dhe Nikolla) erdhën nga Zvicra dhe dolën malit për çlirim. Princi ka qënë si reja me breshën në luftë shumë i përgatitur. Bashkluftarët e tij Demushi, Delia e Seferi tregojnë se kur Princi merrte nishan kaptinat e serbjanëve fluturonin hava si me i pasë gjuejtë vetima në mal të shkretë. Princi ishte njeri i inicjativës i aksjonit dhe i pritave të befasishme, njeri i suksesit, i fitorës, i durimit dhe forces për të përballuar edhe disfatat që të imponon lufta, për të duruar dhimbjen e plagëve e humbjen e bashkëluftarve etj. Ai nuk e dinte se çfarë është frika as tërheqja. Princi i kishte ngja në sifate më shumë se kërkuj bacës Mark. Ai u flijua e ra dëshmorë për liri si bijnë bijtë më të devotshëm të një kombi që kërkon indipendencën e vet. Sipas shembullit të vëllajt të tyre të martirizuar luftuan edhe Zefi e Nikolla deri në ditën e fitorës së madhe të kurorzuar më përkrahjen e pa kursyer të atletëve të Natos.

 

Shok armësh i Adem Jasharit

Gjithmonë burri rrin në kuvënd me burrin, gjithmonë trimi dhe atdhetari shkon në luftë me trimin.
Bacën Adem dhe bacën Mark i miqësoi zemra e zjarrtë e atdhetarisë. Ata për lirinë dhe pavarsinë e Kosovës ishin gati të bënin çdo flijim ashtu siç bëri legjendari Adem Jashari. Si mik dhe shok armësh i Adem Jasharit, kanë bujtë me net të gjata në kullat e njani tjetrit t’ue thurë plane për luftën qëndrestare, t’ue propogandue se ka ardhë koha për rezistencë të armatosur. Më humbjen e Ademit humbëm një krah, por forcuam zemrën dhe shpirtin luftarak- u thoshte bashkluftarve baca Mark. Babloku mjekërbardhë e dinte se nuk ka luftë pa gjak. Ai e donte shumë jetën dhe endërronte ta shihte Kosovën e lirë, por vdekjes nuk i druhej dhe sakrificave nuk u shmangej. Naim Malokun, ish- Komandantin e shquar sygacë të UÇK-së, e pati koleg dhe ortak mejdani, lufta e miqësoi me Ramush Haredinajn, këtë dukagjinas të shquar që zën vëndin e parë ndër të gjithë udhëheqësit politik shqiptarë të Kosovës, i cili i fali dy vëllezër Kosovës së lirë e sovrane Bisha e vjetër e Malsisë së Dukagjinit, me 1999 plagoset në luftë por plumbi “gjenë” nuk e ndali. Baca mori malet dhe erdhi e u mjekue në spitalin ushtarak të Tiranës. Kerrçin e vjetër të UÇK-së e vizituan edhe disa politikan të lartë si Kryeministri i asokohe Pandeli Majko edhe Kryetari i Opozitës Sali Berisha. Prej Tirane babloku i vjetër përmes valëve të TV Shqiptar dha mesazhin: ”Gajret vllazën se Liria nuk fitohet pa gjak. Gajret vllazën se liria po vjen së bashku me pranverën! Gajret vllazën se lira do flijme gjaku! Gajret vllazën se liria po na vjen sot te praku”!


Mos u kapni me gra e me fëmijë, he u qitë Zoti fare!

E gjithë familja dhe fisi i këtij atdhetari të flaktë u vu në sherbim të luftës .
Zoja, gruja e tij burrneshë, bijë Iballje (nga Puka) ka ndihmue pritë e përcjellë me çfarë ka pasë luftarët e malit.
Ka qëndrue si sokoleshë kur bandat çetnike i rrethuan shtëpinë dhe pytën:
- Ku i ke armet se burrin e ke mjeshtër armësh?
-Armë nuk kam, se po t’i kisha i meritoni ballit.
-Ku i ke djemt, moj shtrigë e mallkuar ?.
-Në luftë kundra jush!-
Ku e ke Markun atë skile te vjetër?
Ne do ta varim për mjekre , do t’ja shkulim kabzerrat e do ta lëmë te ngordhë si dacin në kurrth ?
- Në male e keni, ai nuk është burrë që fle më gra në kohë lufte!
Me qënë burra ju, shkoni dhe e kapeni!
–Mbydhe gojën se po të mbysim në bunar
-Bunarin ja ku e keni:
Trimat nuk merrëm më plaka, as me gra e femijë, he u qitë Zoti fare!
Këto qenë fjalët e Zojës që nuk u ligshtue hiç nga çetnikët e mallkuar serb. Kjo grua burrnëshë ka pesë vjet që ka vdekë. Ajo vdiq e lumtur pasi më në fund e pa Kosovën të çliruar nga pushtuesi i urryer serb që i mori jetën e djalit dhe mijra e mijra vëllezerve e motrave të të gjitha moshave anë e mbanë Kosovës.

 

Masakra e Mejës me 379 të vrarë

Me 2 Gusht të vitit 1998 fshati Ramoc ka ague i rrethuar në të gjitha anët, me ushtri ,me arme, topa dhe tre tanke te frigshëm luftarak. Baca Mark me tre djemët e vet dhe shokët e tij luftëtarë i kanë zbrapsë pas një qëndrese burrnore, lufta ka vazhdue panderpremje gjithë paraditën. Pozicjoni që kishte zanë baca me shokët e vet që shumë i volitshëm, guximi dhe mjeshtria e luftimit u shpërblye me një fitore spektakolare që bani bujë të madhe në gjithë Gjakovën. Forcat serbe qenë të detyruara të lanë pëng një tank në duart e qendrestarve të drejtuar nga Mark Abdyli, cili thëriste më të madhe: Mos u dukni ma kendej he u’a kajsha nanën se në Mejaj e Ramovec do leni kockat . Këto fshatra të Dukagjinit dhanë kontributin e vet për liri dhe janë krenarë për gjakun e derdhur te qindra bijve të saj. 27 prilli i vitit 1999 është një nga masakrat më të mënxyrshme gjatë gjithë luftës së Kosovës ku u vranë 379 në fashatin Meje. 27 prilli i vitit 1999 është nata e thikave të gjata e shekullit të XX mes të Evropës moderne. Kjo masakër ishte një hakmarrje kanibaleske që bënë serbet per 4 polic që u vranë në fshatin Meje mes të cilëve krimineli i tmerrshim Millotin Prashiç dhe Nasar Deçani sherbëtor dhe agjent i flliqur i serbëve. Serbët të terbuar duke hunguruar si bishat në Shëndre kanë hy kullë më kullë, nga Juniku,Gryka e Cërrnagorës, Reka e Keqe, Ramoc e Meje duke rrethue fshatrat t’ue marrë varg e vijë përpara të rij, gra, fëmjë ,pleq, të gjithë kë gjenin, të cilët i shkimatën me breshëri mashinash në logun e shkollës Mejaj duke vaditë tokën me gjakun e 379 njerzvë të pambrojtur të cilit të vetmin faj kishin se ishin shqiptarë, të cilët serbi ishte betuar me i qitë fare:Banoret e rrethinave të Mejës dhe Ramocit duke kujtuar me dhimbje gjamën e kombshe thonë. “Fjalët e bacës plak dolën të vërteta, që na thoshte në çdo kuvend. Pasha qiellë e pasha tokë, gjarprit i duhet shtypë koka! Një ditë kem le e një ditë kem me vdekë ! More vllazën, po nuk i rrokëm armët as Amerika, as Ingliterra nuk janë aq budallej, sa ata të luftojnë për ne, e ne të flejmë gjumë. Mark Avbdyl (Ndreaj) është burrë i dijshëm dhe dijetar kuvëndi, ai kudo në Gjakovë respektohet dhe vihet në krye të vëndit, i dëgjohet fjala me respëktin më të madh. Në tribuna festive ka vendin e parë, se i parë ishte baca në luftë. Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi e merrnin grykë dhe e përqafojnë si trimat trimin, si vllau vllanë.
Baca thotë: "Lirinë ta gëzojë rinia se unë e kam kullotë livadhin!".
Ndërsa rinia dhe populli i këndon trimëritë e bacës më çifteli në çdo sofer gëzimi në odat e Malsisë së Gjakovës.


Baca Mak në kapuç deveje
Gjun mbi shkja si shgjetë rrufeje
Në Ramoc baca i malit
Ja merr tankun Sllobodanit
Baca Mark me flamur
Synin pishë e zëmrën gur
Baca Mark komundari
N’ball të luftës prin i pari
Baca Mark me bume n’ xhep
Për Kosovë don me dek!


Duke parë peshën e rëndë të vite që ka mbi supe dhe dëshirën e zjarrtë për të ba realitet ëndrrën më të madhe të jetës së tij e pyeta me sinqeritet dhe dhimbje: Bacë - lufta u fitua po pavarsia kur do të vijë? Baca u përgjigj në mënyrë shumë të zgjuar e figurative. “Kur moti hyn në mes të Shëngjergjave verën nuk ka gja më e ndalë pa dalë”. Mos u mëzitni vllazën, unë jam mbi 85 e nuk iku tek të shumtit pa e pritë e festue ditën e Pavarsisë së Kosovës!
Dita e shumpritur historike ja mbrrini. Kosova sot është e lirë dhe sovrane ashtu siç e deshën martiret e të gjitha kohrave, ashtu siç e deshi e u flijua Adem Jashari e mijra e mijra të tjerë, ashtu siç luftoi Mark Avdyl Qerimaj me armatën heroike të UÇK-së të bekuar nga Zoti dhe të mbrojtur nga NATO, mburoja e pathyeshme e demokracisë dhe civilizimit perendimorë. Urimi im që buron nga zemra është: Të lumtë pushka o Mark Avdyl Mërturi!

__________________

Prishtinë, 12 dhjetor

Veprimtari i njohur Mark Avdyli, i quajtur edhe “Trimi i Flamurit” ka ndërruar jetë në Jahoc të Gjakovës. Ai ishte pjesëmarrës në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bashkë me tërë familjen, kurse gjatë luftës iu vra heroikisht djali, Princ Avdyli, njofton agjencia Ina.Mark Avdyli ishte një hero i vërtetë që me dekada të tëra veproi kundër thundrës serbe, ndërsa për shkak të veprimtarisë dhe ideologjisë kombëtare ai u burgos dhe disa vite vuajti burg në kazamatet serbe.
Veprat e tij janë të mëdha dhe ndër to është edhe pajtimi i gjaqeve në rajonin e Rekës së Keqe të Gjakovës. 
Në varrimin e tij sot në Jahoc ishin me mijëra qytetarë nga të gjitha trevat e Kosovës dhe trevat tjera shqiptare.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen