Freitag, 14. August 2015

Alma Begaj

     Alma Begaj ka lindur më 21. 12. 1968 në qytetin e Beratit dhe është banuese në Durrës. Arsimimi: Shkollën 8-vjeçare e ka kryer në qytetin e Lushnjes. 
     •1983 - 1987: Liceu Artistik “Jakov Xoxa” Fier dega Fagott 
     •2009 - 2013: Diplomuar në Universitetin Aleksandër Xhuvani, Elbasan, në degën Edukatë  Qytetare.
     •Master profesional: Dega Mësuesi për lëndët Edukim qytetar, Histori dhe Gjeografi 
     • Master Xpert European Computer Passport, Viti i diplomimit 2004 Tirana, Albania.
     Me shkrime ka filluar të merrej që në shkollën e mesme, por libri i parë është botuar në 2011. Është anëtare e Shoqatës së artistëve dhe shkrimtarëve të qytetit të Durrësit. Është pjesëmarrëse për katër vite rresht dhe së fundmi, e përzgjedhur në organizimin e Festivalit të Poezisë më 18 Tetor 2013 në Vushtrri “Takimet e Poeteshave Shqiptare”.     
     Poezitë e saj, vazhdimisht janë publikuar dhe botuar në revista, gazeta dhe antologji. Është pjesëmarrëse tek Antologjia me poezi shqipe “Lotët e virgjër” 2012. Pjesëmarrëse e Antologjisë Pegasiane "Korsi e Hapur -2 ", (open line-2) 2012. Tek Revista “Obelisk” e nderuar me çmimin e vitit "Poezia më e mirë" 2013.
     Në vitin 2011 nga Shtëpia botuese “KUMI” i botohet përmbledhja i parë me poezi me titull “Shikim që sfidon distancat”, kurse më 2011, nga Shtëpia botuese “VLLAMASI”, i botohet përmbledhja i dytë me poezi “Farfurima e shpirtit”.
    Gjatë vitit 2012 dhe 2013, janë publikuar analiza edhe në gazetat: Prishtinapress.info; Gazeta Republika; Gazeta Nacional; Fjala e Lirë; Zemra Shqiptare etj. Sidomos në vitet e fundit, bashkëpunon rregullisht, me botime poetike apo dhe skica të ndryshme, mjaft nga këto, në disa Faqe Interneti: “Fjala e lirë” (Londër), “Zemra Shqiptare” (Oxford), “Bota e Re” (Nju Jork), “Tribuna Shqip.

 

Poezi nga Alma Begaj
 
DRITË NGA DASHURIA

Rrufeja
çan qiellin.

E vret në errësirë
qiririn e natës’.

Nga jashtë,
vjen shenja jote;
e, papritmas, gjithçka
ndizet, ndriçon!

Manteli i ngrohtë
më mbulon të tërën
me shkëlqim.

Tani me dritën tënde
ekzistoj dhe jetoj..!
 
 
NATË

Në sy
m'kaloi nata mbrëmë
i gëzova mendimet shterpë
armët i mblodha qetë-qetë
rrëmbyer nga dridhje zemre.

Ëmbëlsia e buzës tënde
shije të shenjtë m'la në gojë,
hapsira pa zë përshkova
kur koreografinë e valles mendjelehtë
vetë dëgjova e vallëzova.
 
 
TROKTH
 
Kuajt, trokthën tokën
era u përkëdheli jelet
nata ua ngatërroi shtegun
mëzkat lotin vallen e mëngjesit..
hënëza ikën e buzëqeshet.
 
 
NJOHJE
 
Po i hyj vetes brenda, me pa se ç'ka.
Nëse mundem.. portën do ta mbyll
e do ngujohem në kët' kull'...
Mos prit çelësin të ta jap!
 
 
MES SHPIRTIT DHE MENDJES

Jemi fryt i kohës, si njësi paralele
mes shpirtit dhe mendjes
në goditjet e çdo çasti,

Dhe, si ciganët që enden,
me fijet e mendimit
projektojmë të ardhmen.

Vallëzojmë mbi të lashtat melodi,
të kaluarat na shembin,
të tanishmet i jetojmë në agoni.

E endemi në ato që do të vijnë,
sepse fijet e kujtimeve,
gjithnjë dhe ende me ne udhëtojnë.


EH, Ç'NGOPJE N'BARDHAK
 
Puhia e detit,
nuk ngurroi aspak
që, bashkë me valën,
hënën t'ma derdhte
..n'bardhak..
E piva e më dehu,
fijevetullën e saj,
syrin kur ma shkeli
buzëqesha pa skaj,
..eh, ç'ngopje..
 
 
ÇUDI...

Hënëza e vetme
mbi një tendë blu,
m’i ngatërroi orët
kur ëndërroja për dashuri..

Dëgjoja zërin tënd
që vinte nga aq larg,
asgjë nga fryma jote
të përqafoja në boshllëk..

Pse më zgjodhi mua?


 
MBRËMË

Mbrëmë,
të ëndërrova në ngjyrat e kohës,
era luante me flokët e kujtesës.

Mbrëmë,
kam jetuar dhimbje e vajtim
loti ishte i hidhur deri poshtë në gji.

Mbrëmë,
Prita të vije, e jetoje ëndrrën me mua
të ecnim të dy nëpër natë deri në agim.

Sonte do të vish?
 
 
THESARI

Kam lindur nga zemra jote
ditën e parë të pranverës.
Thesarin, ti më nuk e gjen
u ngatërrove keq
në kryqëzimin e shkretëtirës
kur kërkove shtegun e trëndafiltë.
 
 
NDËR LOT...

Unë, do të pres
nën hijen
e një stilolapsi,
mes dhomave,
brenda një kështjelle
që fsheh brishtësitë e mia
mes lotit të mirësisë.


____________
Marrë nga sa-kra.ch

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen