Mittwoch, 19. August 2015

Farida Ramadani Zmijani

Farida Ramadani (Zmijani) ka lindur dhe banon në Shkodër. Është diplomuar për mësuesi në degën Gjuhë-Letërsi në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër. Po ashtu është diplomuar edhe si “Ndërmjetëse dhe Parandaluese e Problemeve Sociale” nga Regione Emilia Romania. Ka punuar pranë Gjykatës së rrethit Shkodër, si ekspertë- psikologe për fëmijë ku ka marrë pjese në mbi 150 gjyqe.
Në moshe te re prej disa vitesh ka qenë basketbolliste ne ekipin e parë të Vllaznisë së Shkodrës. Ka shkruar një seri artikujsh me tematika të ndryshme në gazeta e revista lokale dhe ndërkombetare. Eshtë vleresuar me çmime të ndryshme për krijimtari në Shqipëri dhe jashtë vendit. Shkrimet e saja kanë qenë pjesë përbërëse në botimet e disa autorëve të tjerë jo vetëm në Shqipëri por dhe në diasporë. Ka marrë titullin “Ambasadore e Paqes”
Është anëtare e LNPSHA “PEGASI” ALBANIA dhe e Shoqates së Shkrimtarëve Shkodër

Jeton në Shkodër.


 Botimet:
  • “Shumë mirënjohje, faleminderit Itali”- shqip & italisht
  • “Dhimbje nga prindërit e mi”
  • “Pikturoj në qiell”- me 100 poezi shqip & anglisht


Poezi nga  Farida Ramadani (Zmijani)

EMRI YT

Sa herë dëshiroj të shkruaj një emër,
 Shkronja yte vjen e para,
 Dua ta largoj, por nuk di se si…?!
Sepse çdo fjalë fillon nga Ti.

Mundohem e mundohem...
 Ndiej sytë, më tërbohen,
 Sapo filloj sërish të shkruaj,
 Shkronjat me emrin tënd luajnë.

Largoj fletën, marr një tjetër,
 Përsëri ngjason e njëjta letër…
Kaq fort emri yt qenka ngulitur,
 S’largohet prej letrës, dhe duke i bërtitur!

E detyruar fort i thërras,
 Si e llastuar shprehet në gaz,
 Nga e zhubrosur, letra drejtohet,
 Të njëjtat shkronja, papritur, sistemohen!

Buzëgaz unë i mbledh,
 Emrin tënd përsëri përcjell.
 Hyj në kuptim, kërkojnë me zemër:
 Këmbëngulës sytë të njëjtin emër!



SHKRUAJME ME NDJENJA

Sa më shumë të lexosh,
 aq më shumë do të ndjesh.
 Impulsi i ngrohtë,
 prej thellësisë çel.
 Por librin,
 s’do të lë ta mbarosh,
 se do të “mbërthej keqas”,
këtë vetë do e kuptosh.

Eh, të lexuar me ndjenja!
 Librin me këtë stil
 e çojmë në fund,
 ashtu të dy në tundim,
 prologojmë te bukurën lojë,
 tërë gazmim...



PËRSËRI KTHEHEM

Përse, kur më prek,
 zemra “thumbon” fort?
 Ashtu rënë në naivitet,
 s’normalizohet dot ?

Lëshuar, si një vegim,
 në robim për një çast,
 Ndjek emocionin tim,
 në të gjithë trupin “plas”.

Si një ndjenjë e ngrirë,
 si një lojë e vështirë,
 Asqë e përfill ndryshimin,
 refuzon kalkulimin...

Merre shpirtin tim,
 vishe...
 E ndiej thellë në deje...
 Por, e di, s’të bën dot...
 Do të hidhet në sulm
 zhgënjimi,
 S’qenka numri yt!...

Lodhesh në kotësi...
 Ah, sa keq ndihet,
 kjo fjalëzë “Lumturi”,
Përmblidhet në pak fjalë
 dhe kur s’ndihet mirë,
 Për pak, fare pak rri...



MË KE LAKMI

Kur flas,
 Ti je aty.
 Kur lexoj,
 përbri të kam.
 Kur nis këngën ,
 këndojmë të dy.
 Kur bëlbëzoj,
 duke bëlbëzuar
 dhe Ti “rri”...
Po kur bërtas,
 përse bërtet dhe Ti?!
 E kuptoj,
 më ke lakmi.
 Të padit,
 ndriçimi në sy.



ZËRI YT

Si nga një orkestër fantastike,
 tingujt tuaj vijnë,
 shtyjnë njëri – tjetrin...
 arrijnë shpejtësinë ...,
 Vërshojnë me ton të lartë
 tek unë, në çdo qelizë,
 sa maja e maleve të shpirtit,
 ngelen në çudirë...

Herë i ndjej lehtë,
 nën lëkurë më prekin totalisht.
 Tashmë e mësuar
 në këtë rrekëtim ...

Eh, kështu më ke formuar!
 Simfoni plot melankoli...
 Ndjenjë e dashuruar....
 Spirancë e ankoruar
 në shpirtin tim.

Vargje melodish derdhur...
 Lloj, lloj ndjenjash përdredhur,
 Vallëzojnë me violinë,
 ashtu të freskëta rrinë ....



LEGJENDA E REVE

Vështrova qiellin,
 veçova retë,
 Si ngjasonin:
 ngjeshur fletë – fletë...
 Përqëndrova sytë
 atje lart, lart,
 Aty ku ndjenjëhapur
 më latë...

Shikoja Universin
 e pafund,
 sy mekur...,
 sikundër në “gjumë”.
Eh, reja më dukej
 aq origjinale,
 Panoramë e “trishtë”
në detaje!...

Vështroj,
 një karrocë me dre.
 Një vashë,
 po e nget nxitimas.
 Asqë mendon
 t’i vëjë fre.
 Figuracioni i reve
 prin buçimas...

Mendja e saj
 vazhdoi të soditë,
 por asgjë,
 s’po kishte kuptim,
 s´donte ,
 aspak të priste:
 Përqafimin
 me lumturinë!

S’e ndieu
 Dëshpërimin.
 Papritur,
 karrocën ndali,
 zbriti, si shtojzovalle,
 zbriti,
 me tonin e zbritjes:
 hopa, hopa...
 Rimblodhi retë
 ngadalë, e lehtë - lehtë...

Magjepsur
 prej bukurisë,
 retë u aktivizuan
 vezulluese,
 nisën të gjitha
 menjëherë,
 në rol të damës,
 në pistën vallëzuese ...

Ashtu të lehta
 çliruar nga emocioni
 s’lanë asnjë re,
 jashtë pistës,
 Shoqëruan
 vashën e bukur
 të pikëtakonte,
 djalin e dritës ...

Duartrokitën retë,
 tërë dashuri.
 Me kënaqësi
 shijuan skenën.
 Para syve,
 u shfaq një çudi .
 Për një moment
 heshtën....
 në bëlbëzim ...

Ylberët lëshuan
 tërësisht ngjyrat,
 t’ju ndriçonin
“princeshave”
gjithë fytyrat ,
 U shndërruan
 në të bukura...

Rifilluan
 me figura të reja...
 Thurja e tyre
 më me ëndërr,
 më me finesë,
 Dashuria
 shpaloste sekuencat ,
 si legjendë,
 mbetur,
 si një film i pambaruar
 në të shfaqur,
 plot fantazi në qiell...



ME QIELLIN KATËR

Nga larg
 dëgjova zërin tënd,
 kur një pupël
 po vështroja ...
 Fillova të fryj,
 për ta mbajtur lart.
 Sa më shikove,
 erdhe me vrap...

Frymëruam së bashku të dy,
 buzëqeshëm,
 deri në marrëzi.
 Ajo valëvitej,
 lodronte me ne...
 Përcillnim frymën, pa fre,
 Kështu u bëmë tre!...

Qielli u mahnit,
 me marrëzinë tonë,
 Të katërt në melankoli,
 qëndruam deri vonë.



KTHEJ MOMENTIN E HUMBUR

Buzët e lodhura lëndojnë,
 Duan të fshijnë me gomë,
 në gjumë dhe në meditim,
 fjalën: “Shpirti im”...

Ndjenjat e bukura,
 me të shëmtuarat,
 përsëri rrinë bashkë,
 herë futen brenda,
 herë rrinë jashtë...

Ashtu..., e shpirti të fal.
 A thua s´kupton?
 Siç duket ke diçka,
 që te ti ”rrezaton”.

Shijon buzëqeshjen,
 Ëndrrat mbetën “pa u lyer”,
Të pashkruara në qiell,
 si një tekst i pakryer.

Retë s’zunë vend,
 me ritëm shkriftohen,
 grinden,
 përsëri ribashkohen...
 Tashmë me gjithë mend,
 të më lësh përsëri,
 mua fare pa mend...

Nxitimthi marr guxim,
 të jem përsëri e lumtur,
 Ta kthej në magjik,
 momentin e humbur.



TË KËRKOJ

Nuk dua lumturia,
 të jetë ai çast,
 i zgjatur aq pak...
 Kërkoj, edhe nëse humbas,
 në frymën tënde të trokas,
 të më shohësh drejt sytë,
 të më thuash i çlirët:
“Jam miku yt!”



Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen