Sonntag, 16. August 2015

Mbledhja e Fierit, prelud i pavarësisë kombëtare.


Mbledhja e Fierit e 12 gushtit 1912, 
prelud i pavarësisë kombëtare.

Nga Ilirjan Gjika
1
Fieri është një qytet relativisht i ri i krahasuar me fqinjët e tij si: Vlorën, Beratin apo Elbasanin. I themeluar në vitin 1864 nga Kahreman Pash Vrioni, qyteti i Fierit do të nisë të luajë një rol gjithnjë e më aktiv në vitet e Rilindjes Kombëtare dhe të pragpavarësisë. Qysh me themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Fier do të vijë një nga figurat qendrore të saj, Mehmet Ali Vrioni. I mbështetur tek të afërmit e tij, familja Vrioni, dega e Fierit, ai do të angazhojë në krijimin e degës lokale të Lidhjes, disa nga familjet më me influencë të kësaj treve. Në mbledhjen që organizoi Lidhja për Fierin, në 31 tetor 1878, do të marrë pjesë edhe Abdyl Frashëri, i cili do të mbajë edhe mitingun e parë me karakter politik në këtë qytet. Ndërkohë që në vitet e mëvonshme do të intensifikohet veprimtaria patriotike, jo vetëm në qytet por edhe në rrethina. Kështu në vitin 1901, në Fier vepronte një komision i fshehtë që përpiqej të përhapte arsimin shqip, i cili mbante lidhje të rregullta me ‘’pionierin’’ e arsimit kombëtar, Bab Dud Karbunarën dhe komitetin e fshehtë të Beratit. Përpjekjet e tij u kurorëzuan me sukses në vitin 1908, kur do të hapen dy shkollat e para të arsimit shqip në trevën e Fierit, siç ishin shkollat e Libofshës dhe të Cakranit. Gjithashtu gjatë viteve të Rilindjes Kombëtare nuk munguan edhe ndeshjet e armatosura me pushtuesin turk. Mund të përmendim këtu kontributin e vëllezërve patriotë Bektash dhe Hajredin Cakrani, të cilët e kishin shdërruar Cakranin, një nga fshatrat më të njohur të Mallakastrës së Poshtëme, në një qendër të lëvizjes patriotike dhe të arsimit kombëtar. Nën drejtimin e tyre u zhvillua edhe lufta e Cakranit në gusht të vitit 1909, gjatë së cilës u ndeshën disa nga çetat patriotike të Shqipërisë së Jugut me ushtrinë turke.
Por ngjarja më e rëndësishme në kuadrin e Rilindjes Kombëtare dhe që çoi në mënyrë direkte në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, eshtë për këtë qytet Mledhja e Fierit. E mbajtur këtu në 12 gusht të vitit 1912 ajo caktoi dy detyra kryesore. Të tilla ishin dërgimi i Ismail Qemalit në Stamboll për të kërkuar zyrtarisht autonominë e Shqipërisë dhe angazhimi i Luigj Gurakuqit pranë delegacionit që kryesohej nga Hasan Prishtina, në bisedimet shqiptaro-turke. Merita e ksaj mbledhjeje qëndron edhe në faktin se ajo i krijoi mundësinë ‘’arkitektit’’ të pavarësisë, që nga Stambolli të gjykonte drejt situatën politike dhe të kthehej në Shqipëri, për të realizuar veprën më të rëndësishme të jetës së tij.
 

2
Në vjeshtën e vitit 1911, Italia, e theu Perandorinë Osmane dhe aneksoi Libinë, që deri atëherë kishte qenë pjesë e saj. ‘’Në këto kushte kur parimi tokësor i Perandorisë Osmane nuk respektohej më’’, theksonte Ismail Qemali, edhe shtetet ballkanike nuk do të qëndronin të qeta. Kështu kur në “horizont”, po shfaqej një luftë e re ballkanike, e cila mund të çonte në një copëtim të Shqipërisë, deputetët shqiptarë të parlamentit turk në Stamboll, vendosën ta shfrytëzonin gjëndjen e vështirë të Turqisë, për ta detyruar atë që të njihte më në fund edhe autonominë e Shqipërisë (Akademia e Shkencave, Historia e Shqipërisë, II, Tiranë 1984, f. 464-465).
Në kushtet e luftës parlamentare, në 11 Janar 1912, Hasan Prishtina e kërcënoi qeverinë turke me një kryengritje të përgjithshme në rast se nuk do të realizoheshin kërkesat e shqiptarëve. Në parlament, grupi i deputetëve shqiptare përkrahu kundër qeverisë xhonturke partinë opozitare “Liri dhe marrëveshje”, e cila në opozitë kundër maxhorancës qeverisëse, parashikonte decentralizimin administrativ të krahinave kombëtare të Perandorisë Osmane (Po aty, f. 466). Të ndodhur përballë kësaj opozite, xhonturqit në 18 Janar 1912 shpërndanë parlamentin dhe vendosën shpalljen e zgjedhjeve të reja në pranverë, me qëllim që të siguronin nëpërmjet tyre shumicën parlamentare. Në këto kushte, deputetët dhe një sërë personalitetesh politike shqiptare u mblodhën në Stamboll, për të vendosur për veprimet e ardhshme politike dhe ushtarake. Mbledhja e fshehtë e Stambollit vendosi që Hasan Prishtina të shkonte në Kosovë, e cila ishte vatra më aktive e lëvizjes shqiptare, për të organizuar kryengritjen e re. Ndërsa Ismail Qemali do të udhëtonte drejt Europës për të siguruar mbështetje politike, financime dhe armë për kryengritjen e përgjithshme, që nisi në prill të vitit 1912 në Malësinë e Gjakovës dhe u përhap në Kosovë dhe Shqipërinë veriore. Në 21 Maj 1912 të mbledhur në Kuvendin e Junikut kryegritësit shpallën programin e tyre, ku kërkesa të tilla, si ngritja e një administrate shqiptare, përdorimi i shqipes si gjuhë zyrtare dhe i flamurit kombëtar, synonin autonominë e Shqipërisë brenda kuadrit të Perandorisë Osmane (Po aty, f. 470).
Kuvendi i Junikut me programin e tij ndikoi në zgjerimin e kryengritjes edhe në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut gjatë verës së vitit 1912, ku Kryengritja Shqiptare çoi në mënyrë të pa shmangshme në rrëzimin nga pushteti të xhonturqve. Më 17 Korrik qeveria e kryeministrit Said Pasha u detyrua të jepte dorëheqjen (Po aty, f. 475). Në vijim të zhvillimeve politike në 22 Korrik u formua nga opozita që kryesohej nga aartia ‘’Liri dhe Marrëveshje’’, qeveria e re e drejtuar nga Ahmet Myftar Pasha. Ajo urdhëroi ndërprerjen e veprimeve ushtarake në Shqipëri dhe dërgoi në Kosovë një komision qeveritar për të biseduar me kryengritësit.
 

3
Në këto kushte kur priteshin që të nisnin bisedimet shqiptaro-turke që do të konsistonin për problemin e autonomisë, rrethet patriotike të Shqipërisë veriore, të mesme dhe jugore shpejtuan që të autorizonin Hasan Prishtinën, që të ti përfaqësonte këto rajone në bisedimet shqiptaro-turke, dhe të paraqiste atje programin që kërkonte autonominë e Shqipërisë ( Po aty, f. 478). Bisedimet nisën në 2 Gusht 1912, në Prishtinë, midis Hasan Prishtinës dhe përfaqsuesit të qeverisë së re turke, Mareshallit Ibrahim Pasha.
Në bisedime, Hasan Prishtina, paraqiti përpara komisionit turk kërkesat e programit të autonomies, të cilat nuk u pranuan nga pala turke. Kështu në 5 Gusht 1912, duke i bërë presion Perandorisë Osmane, kryengritësit nën drejtimin e Hasan Prishtinës marshuan drejt Ferizajt, ku mësuan edhe lajmin e shpërndarjes së parlamentit nga Sulltani. Po gjatë ditëve në vazhdim, Hasan Prishtina, u njoftua mbi mandatin e dhënë nga komitetet kombëtare të Shqipërisë së jugut.
Kështu u bë e mundur përfaqësimi i gjithë Shqiptarëve për problemin e autonomisë në bisedimet me autoritetet turke. Ndërkohë që, në 23 Korrik të vitit 1912, udhëheqësit e komiteteve kryengritëse të Shqipërisë së jugut u mblodhën në Sinjë, në jug të malit të Shpiragut dhe hartuan një memorandum autonomist po prej prej 12 pikash, i cili ishte i ngjashëm me memorandumin e Greçës së një viti më parë ( Po aty, f. 477).
Sinja u zgjodh pikërisht nga pozicioni i saj gjeografik si pikëlidhje e krahinave të Sanxhakut të Beratit (Vehxhi Buharaja, Kuvendi i Sinjës dhe memorandum i tij. Gazeta Bashkimi. Tiranë 23 Korrik 1972). Për të paraqitur “Memorandumin e Sinjës”, përfaqësuesit e 49 çetave që morën pjesë në këtë kuvend, zbritën në Fier, të cilin e çliruan nga forcat osmane. Nga zyra telegrafike e këtij qyteti ata njoftuan qytetet e Shqipërisë dhe Kryeministrin turk për vendimet e këtij memorandumi. Gjithashtu ata autorizuan Hasan Prishtinën për ti përfaqësuar në bisedimet me komisionin osman që tashmë kishin nisur.
Ndërkohë që situata politike dhe ushtarake në Shqipëri paraqitej e tillë, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, që ndodheshin me mision diplomatik jashtë shtetit, vendosën të ktheheshin në Shqipëri me urgjencë për të qenë më afër ngjarjeve politike, (Akademia e Shkencave, Historia e Shqipërisë, II, Tiranë 1984, f. 476).
Ja seç thuhet midis të tjerave për këtë ngjarje në monografinë ‘’Luigj Gurakuqi’’, botuar në Tiranë në vitin 1980, me autor Pirro Tako. ‘’Në 2 gusht Luigj Gurakuqi udhëton me Llojdin austriak nga Triestja për në Shqipëri (Vlorë), së bashku me Ismail Qemalin. Si mbërritën në Vlorë, ata u nisën menjëherë për në Fierin e çliruar, ku i pritnin përfaqësues nga Shqipëria e jugut dhe ajo e mesme. Ata mbërritën aty nga mbarimi i javës së parë të gushtit, në një kohë kur në Stamboll u zhvilluan ngjarje të tjera që çuan në rrëzimin e Ahmet Pashës dhe ardhjen në pushtet të Qamil Pashës. Mbledhja në Fier, e cila me sa dimë, nuk është bërë objekt i ndonjë studimi të veçantë, u zhvillua në një kohë kur re të zeza kërcënuese mbuluan Ballkanin. Ethet e luftës …..po përhapeshin me shpejtësi…
E tillë ishe atmosfera në kohën që krerët e jugut e të Shqipërisë së mesme ishin mbledhur në Fier’’ ( Pirro Tako, Luigj Gurakuqi, Tiranë 1980, f. 171-172).
Kështu në 12 Gusht 1912 me pjesëmarrjen e Komitetit të Shqipërisë së Jugut zhvillohet në Fier, “Mbledhja e Fierit”, theksohet edhe në botimin e fundit të Historisë së popullit shqiptar të disa viteve më parë (Akademia e Shkencave, Historia e popullit Shqiptar. Vol II, Toena, Tiranë 2002, f. 486).
Nën drejtimin e Ismail Qemalit dhe të Luigj Gurakuqit, në këtë forum morën pjesë personalitete të rëndësishme të kohës si Omer Pash Vrioni, Aziz Vrioni, Izet bej Zavalani, kolonel Ismail Haki Tatzati, Pandeli Cale, Bektash Cakrani, Qazim Kokoshi, etj.
Më tej rreth mbledhjes së Fierit, në monografinë ‘’Luigj Gurakuqi’’ midis të tjerave theksohet se: “Në mbledhje Ismail Qemali propozoi që të dërgoheshin në Kosovë nga dy delegatë për çdo krahinë që të bashkëpunonin me Hasan Prishtinën, por propozimi nuk u miratua me arsyetimin se koha nuk priste dhe se ana tjetër Shqipëria e Jugut e kishte autorizuar përpara disa ditësh (gjë që I. Qemali nuk e dinte) Hasan Prishtinën që të përfaqësonte interesat e saj. Përkundrazi mbledhja i sugjeroi Ismail Qemalit që të nisej menjëherë se Stamboll e aty të përdorte gjithë “ndikimin e tij në kabinetin e ri”. Ai e pëlqeu këtë propozim. Ndërsa Luigj Gurakuqi u ngarkua me një mision delikat, të nisej për në Shkup e të luftonte për realizimin e kërkesave të parashtruara’’. (Pirro Tako, po aty, f. 171-172).
Kështu dy vendimet më të rëndësishme të mbledhjes së Fierit ishin: Së pari, Ismail Qemali do të shkonte në Stamboll me qëllim që, si njeri me influencë politike që ishte, të ndikonte tek kabineti i ri qeveritar i drejtuar nga Ahmet Myftar Pasha. Së dyti ngarkohej Luigj Gurakuqi që ti atashohej Komisionit Shqiptar që drejtohej nga Hasan Prishtina, për të mbështetur këtë të fundit, në bisedimet shqiptaro-turke që do të zhvilloheshin në Shkup.
 

4
Vendimet e marra në Mbledhjen e Fierit vërtetohen edhe nga një burim tjetër. Në letrën që Luigj Gurakuqi i drejton parisë së Elbasanit në 7 Shtator 1912 thuhet se: ‘’Të ndershëm miq. Sikur ju thashë në letrën që ju dërgova nga Shkupi, unë ndonëse vura të gjithë kujdesin tim për tu gjetur një orë e më parë në Kosovë, arrita mjerisht në Shkup dy ditë pasi shqiptarët kishin dalë prej atij qyteti. Mua pra nuk më mbeti tjetër për të bërë, përveçse te shkoja në Gjakovë e të merresha me atdhetarët e atjeshëm….Dy ditë përpara u takova këtu me Ismail Qemal Beun, i cili u nis për në Stamboll, ashtu si e kishim lënë fjalën në Fier. Atje do të mundohet ti mbushë mendjen qeverisë se ne Shqiptarët jemi shpëtimi i Turqisë e të nxjerrë nga ajo, në mos tjetër, njohjen zyrtare të kombësisë e të gjuhës sonë, pa të cilën nuk do të kemi as liri për shkollat, as të drejta për shoqëritë tona…..Unë doja të vija në Shkodër por dëshiroja më parë të merrja vesh fundin e përçapjeve të Ismail Beut në Stamboll. Që të mos rrimë kot këtu. Sot vendosa bashkë me disa miq, të vetë edhe unë në Stamboll që të kuptojmë menjëherë qëllimin e qeverisë…’’(Teuta Hoxha, Ismail Qemali, Përmbledhje Dokumentash, Tiranë 1982, dok 178, f. 214).
Kështu për të plotësuar misionin e ngarkuar nga Mbledhja e Fierit, në Stamboll mbërriti edhe Luigj Gurakuqi. Por në 18 Tetor 1913 nisi Lufta e Parë Ballkanike dhe aleanca e përbërë nga Serbia, Mali i zi, Bullgaria dhe Greqia, pasi e thyen Perandorinë Osmane në të gjitha frontet, nisën të pushtonin territoret e saj, përfshirë edhe tokat shqiptare. Në këto kushte, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi vendosën të kthehen në Shqipëri.
Në kujtimet e tij Ismail Qemali tregon: ‘’…Atëherë kur aleatët Ballkanikë i shpallën luftë Turqisë, kur trupat Bullgare ishin në të pushtuar të Kirk-Kilisesë, ndërsa Serbët kishin zënë Shkupin, unë e kuptova se kishte ardhur koha për ne Shqiptaret të merrnin masa rrënjësore për shpëtimin tonë ( The memors …P.369, cituar nga Arben Puto. Pavarësia e Shqipërisë dhe diplomacia e fuqive të mëdha. Tiranë 1978, f. 102).
Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi u nisën nga Stambolli në udhëtimin e tyre historik për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Duke ndjekur itinerarin Stamboll-Bukuresht-Vjenë-Trieste, ata mbërritën në Durrës në 21 Nëntor 1912. Pasi u penguan këtu në përpjekjet e tyre për Shpalljen e Pavarësisë, nga autoritetet turke dhe kleri ortodoks grek, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi vijuan udhëtimin drejt Vlorës nëpërmjet Myzeqesë bregdetare. Pikërisht ditën e fundit përpara se të mbërrinin në Vlorë, të dy burrat e shquar u ndalën përsëri në Fier, ku kaluan natën e 24 nëntorit, aty ku disa muaj më parë ishte zhvilluar mbledhja historike e Fierit. Kështu u mbyll cikli i udhëtimit që kishte si qëllim autonominë por që u finalizua me Pavarësinë e Shqipërisë në 28 Nëntor 1912.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen