Samstag, 15. August 2015

Tahir Foniqi

     Tahir Foniqi ka lindur në Llazicë, Klinë, më 1944. Është autor i shumë librave të zhanreve të ndryshme si poezi, prozë, monografi, publicistikë etj.
     Foniqi ishte magjistër i shkencave filologjike. Një kohë punoi profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, kurse deri në pension ishte punëtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Tahir Foniqi u nda nga jeta me 6 shkurt 2015 ne moshën 72 vjeçare!

Ka botuar këto vepra:

  • E shoh ne drite
  • Heshtja e një kohe
  • Mos e kërkoni në ëndrra
  • Vdekja e hamnit
  • Emblema e vrerosur
  • Dueti legjendar
  • Alush Qerratai
  • Jeta nëpër dhembe


Poezi nga Tahir Foniqi


AUTOPORTRET

I ftohtë si mermeri
I qetë si hija në lumë
Engjëll për engjëllin
Gogol për deledashët
Emblemë e vrerosur
I etur si gjithmonë
Këngën më të mirë
Ende s'e kam kënduar
Më bën zot shtëpie.
 

ATDHEU

Atdheu njihet me këmbë jo me ëndrra
Ai nuk fillon nga asgjëja
Shtrihet prej zemrës në zemër
Për te gjithmonë mbetët diçka e pathënë
Atdheu nuk ikën nga vetvetja s'di të plaket
Mrrolet kur I numëron gjymtyrët e humbura
Trandet kur zihet keq me djallin nuk fle
çan gurin bjeshkën malin kur e zë kolla
mbyll deriçkat me muzgun e pare derën e lë hapur
Unë e di çfarë lë ai në harresë çka ruan në kujtime
E di si bëhet I paqenë si e zë gjëma
Si qëndron pip në këmbë Unë  e di
Unë e di si mbijeton i qetë si bëhet unë  e di.

 
 
KADARE

E pash Kadarenë
M'u bë si qytet i lashtë
E quajta Golkonda
Vrapova pas një gruaje
Si në autobusin numër pesë
Diçka më ndiqte pas.
 

URIMI
(Nipit, Arbisit)

Shkrova edhe për ty nipi im
Diç si domosdoshmëri porosi urim
Fjalët kanë gojë e rrojnë
Uroj vetë të jetosh
Brinjë e kohës tënde
Peshkun vetë ta zësh
Po u bëre Homer
Librat t'i dhurosh pa dedikim
Gjithnjë e më pak do të kesh miq
Shkrova edhe për ty nipi im
Diç si porosi urim
Që nesër ta lexosh të besosh
E djeshmja dhëmballë që dhemb.
 

JETA


Ajo që presim e duam
Ajo që dashurojmë e vuajmë
Ajo që shohim e jemi të varfër
Ajo që dhemb e nuk kthehet
Jeta është edhe më shumë
Një grua ta shikosh
Ta mbëltosh fjalën e urtë
Të betohesh në atë fjalë
Jetën e pashë
Jetës I thashë
Më mëso të qaj
Që të qesh.
 

JETE NEPER DHEMBE

Erdha
Pash tmerrin e botës
Jetë nëpër dhëmbë

Mure të ngrira
Dritare të mbyllura
Fletë të grisura
Një botë e tërë

Kam parë si jeton dhëmbi i bardhë
Si bie dhëmbi i zi

Ika pa lamtumirë
Me kokën prapa.


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen