Freitag, 14. August 2015

Zeqir Lushaj

     Zeqir Lushaj ka lindur në fshatin Gri të Tropojës më 8 Mars të vitit 1949. Shkollën fillore e mbaroi në Gri ndërsa atë 7-vjeçare në fshatin fqinj, në Geg-Hysen. Në vitin 1967 kreu shkollën Pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër. Që në atë vit (maturant) emri i Zeqirit shfaqet në “Zëri i Rinisë” e më vonë, në krejt shtypin qendror shqiptar, punë e cila vazhdon edhe sot. 
     Mbas diplomimit në pedagogjike punon për tre vjet mësues në Geg-Hysen. Në vitet 1970-1973, mbaron studimet e larta në Akademinë Sportive “Vojo Kushi”, (aso kohe IKF) në Tiranë. Stazhin pasuniversitar e kryen në shkollën e mesme të Tropojës (së Vjetër).
     Më 10 Maj të vitit 1974 mbron diplomën me rezultate të shkëlqyera, (i vetmi vlerësim maksimal me notën 10 i atij viti), dhe në qershor fillon punën redaktor në gazetën “Zëri i Rinisë” në Tiranë ku punon deri në vitin 1977. Ndërkohë, pa shkëputje nga puna diplomohet edhe në arsimin e lartë politik dhe nga gazetar emërohet instruktor në aparatin e Komitetit Qendror të Rinisë e mbas 7 vitesh, instruktor në Këshillin e Përgjithshëm të FDSHsë, ku në vitet 1991-1993, zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i tij.
     Në përpjekje për të realizuar shndërrime demokratike Zeqiri me një grup intelektualësh të pavarur si: Aleks Luarasi, Mehmet Myftiu, Agim Cerga, Haxhi Aliko, Teodor Laço, Tamara Malaj, Hajredin Rudi, Bujar Muharremi, Mirdash Braçe, Hasan Lekaj, Vehbi Furrxhiu etj, krijojnë shoqatën “Bashkimi Kombëtar Shqiptar”, që pas një viti merr emrin: “Lëvizja Shqiptare për Mirëkuptim dhe Paqe”. Kjo Lëvizje pranohet menjëherë anëtare me të drejta të plota në Këshillin Botëror për Paqe dhe vizitohet në Tiranë nga Presidenti i këtij Këshilli. Gjatë këtyre viteve, Zeqir Lushaj është në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të shoqatës, si dhe bashkëbotues i gazetës “Paqja”.
     Me gjithë këto detyra për një kohë të gjatë në organizatat shoqërore, Zeqiri mbeti gjithnjë një mik i ngushtë i shtypit, një bashkëpunëtor produktiv i papërtuar e cilësor i tij. Pra, ishte dhe vazhdon të jetë, më shumë se nëpunës, një gazetar!
     Për disa vjet punoni dhe jetoi në Nju-Xhersi të SHBA-së nga u kthye për të jetuar përfundimisht ne Atdheun e tij - Shqipëri. Gëzon pasaportën e shtetësisë amerikane.

Librat e botuara:

  • Hija e vendlindjes Vjersha
  • Lisi i shkruar Vjersha
  • Vdekja e varreve Vjersha
  • Dyqani i mendjes Shkrime publicistike
  • Pengjet Vjershërime
  • Fjala mbi tel… Tekste kangësh popullore


Poezi nga Zeqir Lushaj


ATY FILLON PERËNDIMI SHQIPTAR                                    
 
-Nikaj-Mërturi, dekoratë ilire në gjoksin Dardani -

…!
Kapuçi i bardhë:
Lugbat, Shtyllë,
…Kore e Kaki .
 
Kërshi i Pikut,
Vorri i Fratit:
Sytë, poshtë tij !
 
Qafë Agri ,
Qafë Kolçi:
Dy desh mbi urë !
 
Brinjët, vet fiset,
(Libër i hapur):
-Nikaj-Mërtur.
 
Rrasa e Mulajve,
Shpatë, për së gjati,
Varur, qystek sahati.
 
Shkuma e bardhë ,
Nga Currajt e Epër,
Zhurmon serbes,
 
Qëndrestarin,
(Epos kreshnikësh),
Freskon mes përmes .
 
Rreth e rrotull,
Bjeshkët plot çetë,
Kalabosh, vezme me fishekë.
 
Ngulur fort, (Va në Va),
Drinit, nën këmbë,
Nga Kisha e Rajës, në Toplanë .
 
Sy ciklopi,
Përballë, natë-ditë,
Berishë e Brigjeve-Aprripë !
 
Shpatullat, të sigurta,
Nga do t’i shikosh,
Valbonë-Shalë -Shosh.
 
Taban mbështetës,
(Drejtë peshim gjithmonë),
Motrat , Shkodër e Gjakovë !
 
Vërini i kullave,
Bjeshkët e stanit,
Visare, të Kulturës Komanit !
 
Si lisat breg Karmës,
E pishat në bjeshkë,
Djelt e çikat, me synin eshkë.
 
Si në Apelin e Fiseve,
Për t’u rrethue në sofër,
Artistë me emën, në çdo votër.
 
Hemisfera në Alpe,
(Si Muja e Halili),
Dy Lekët: -Biba-Dukagjini!
 
Për mikun, në dorë zemrën,
 Për armikun, vaisin pushkët,
 Pa kallauz, katundi që duket!
 
Aaah ! Nikaj-Mërturi !
Dekoratë ilire, në gjoksin Dardani,
Sa mangut, do të ishim pa Ty !
 
Mësonje  mirë !
Mbanje mend, (çikë e djalë):
-Aty fillon, Perëndimi Shqiptar!
…!
Gjeografia…,
Lehtë vizatohet,
Libri i jetës, zor lexohet !
       
 
 
 FLUTUROVA…, IKA…!
 
“…Shite tokën…, del hup krejt…!”
-Varg i një kënge popullore, rreth një shekull më parë-

(Fletë ditari, Tiranë-Nju Jork, 27 shkurt 1998)
                                                                                                     
1.
Më thanë se:
I biri i xhandarit jam!
 
-Në çdo fletë biografie,
Në çdo dosje e kam.
 
2.
Më thanë se:
-Je, një katundar-malok!
 
Me prejardhjen time,
Mburrëm edhe sot.
 
3.
Më thanë se:
-Je agjent i Sigurimit!
…I shikova, pak,
Si me çudi …!
 
(Një meritë,
E panjohur prej meje,)
 
Ama, gjithë Bota,
Punon për Siguri!
 
4.
Më thanë se:
Je kriptokomunist,
Nuk ke për t’u rinovua!
 
 
Ç’ka me ba?
-Medet për mue!
 
5.
Më thanë se:
-Je feminist,
…Sa shumë vajza ke dashtë!
 
-Sa mirë: -ua ktheva:
“Në vesh të Perëndisë,
…Zoti e thashtë…!”
                                                                                              
6.
Gjithë këto akuza,
(Nuk janë…, as gjysma),
Mbarë e mbrapsht i dëgjova,
 
Vetën e hangra me dhëmbë,
Bana si bana…,
I durova!
 
7.
Kur, më thanë se:
-Je servil-karrierist,
Të dhimbset karrigia!
 
 
U preka në shpirt,
(Mallkova në heshtje):
-Paçi faqen e zezë!
…Ju raft pika!
 …!
(Ma trazoi shpirtin një fjalë,
Fjalë e vjetër, qyshkur:
-Unë me bukë, e Ti me gurë!)
 
8.…!
Kur, me kokën mbrapa,
Rëndova…,
 Në shkallët e avionit (!!),
 
Mu duk vetja…,
Breg-varrit,
Gozhduar,  mes arkivolit…!
…!
 
9.
-Prapa diellit…,
E thefsh qafën…!
Më bëhej se, (…ata),
Më flisnin në vesh!
 
Ata…, (ata e ato!),
Që gjithë jetën i desha,
Dhe do t’i dua,
Deri sa të vdes!
 
10.
Si zogu mbi lis,
Instinktivisht,
Çukita…,
 
…Mbi xham,
Xhamin e qelqtë,
Me ballin mbështetur,
 
Fshiva,
(lehtë),
Avullin me dorë,
 
 
Por… ,
Pa  e kuptuar,
Kisha  përshëndetur!
 
 
11…!
N’daç, përshëndeta,
N’daç, çukita…!
?!…,
 
12.
…!
Fluturova…,
Ika….!!
./.
      
 
 
KOVAÇIT AZIZ VORFI
 
– Hero i Punës –

Në duart e tua, qindra ton çelik,
Në sytë e tu, xixa hekuri të skuqur,
Në gjoksin tënd me mijëra drita,
Medalja e Heroit, drita më e bukur.
 
35 veta nga familja jote,
Në grykat e Fierzës punojnë çdo ditë,
Ti, vazhdon të godasësh mbi kudhër,
Si atëherë djalosh në Bistricë.
 
Në sofrën e mbushur me dashuri,
Të rrethojnë fëmijët , mbesa e nipa,
Emrat ua ngjite brigjeve të lumenjve.
Hidër, Centrale, Lulëzime, Drita…

Një jetë të tërë nën prush çeliku,
Si pisha mes shkëmbit në erë,
Të heqim kapelën, kovaç Aziz Vorfi,
Udha dritë t’u baft përherë!
./.
Fierzë, 1976
 
 
 
UDHA E BJESHKES
 
-Udhëtoj shpesh, (me mend), me karvanin e vrritarëve, për në bjeshkë…, në Shtyllë të Grisë-

…!
Ta duam këtë emër:-Shtylla e Grisë,
Dije mirë,kallxoja gjithëkujt, o djalë:
-T’ja dijmë kimetin…, është hyjnore,
Aty jetohet…,bash si në  përrallë.
 
1.
Kalojmë,vijën e Dubravçit,mbi Kishë,
Marrim hijen,gështenjave përpjetë,
Flladitem njëherë,në Gurrën e Grisë,
E besoj:-Jemi nisur për në bjeshkë.
 
2.
Ku ndahen rrugët, pushimi i parë,
Aty mblidhet karvaji i katundit,
Kokrrohet, avash, brijës Muzi Kurtit,
Nusja ma e re, gjithmonë,e fundit.
 
3.
Kah e Rrzuemja e Çutës,(kujdes),
Aty asht’ terr, edhe në mesditë,
Në Shteg,tu bojlia e Baram Zmajlit,
Mbarojnë gështenjat, hapen sytë.
 
4.
Në Fushë-Llozhën, dalim prej hijes,
Mrizi i thotë: -lamtumirë vrrinit,
Prroni i Territ, Lejthia gurbardhë,
Një test i fortë, starti i fillimit.
 
5.
Të jeshë sa të duash djalë i zoti,
Me korin e gjinkallave përpjetës,
Te Kroni i Morajës, del i djersitur,
Kah’ Molla e Idhët e Ara e Çelës.
 
Aaah, Ai-Krue don shumë kujdes,
Rinia, këtë punë mire nuk e di (!),
Edhe kali i shkumuem-buzëtharë,
Aty,(menjëheri),rrezikohet kur pi.     1)
 
“Si pjalm bore reshë rreth majës,
Dhamtë, t’i pinë kroni i Morajës…”
(Këto dy vargje, diku i kam shkrue,
Për Kronin e bjeshkës-ujëbekue).
 
6.
Mbi Kodër të Morajës, leqe-leqe,
Në Tella të Poshtme duhet pushimi,
Lugut Dikçorit, Rogave të Gabelëve,
Hap-mbas-hapi,vjen rritet freskimi.
 
7.
Rrasa mbi Dikçur, len sherbelen pas,
Aty,nis e fry, flladi i bjeshkës Epër,
Muret e Gashit, pushimi i fundit,
Nën Qafë-Shtyllë,thik’ të përpjetës.
 
Gurrcin e Epër,lamë në të djathtë,
Në të majtë, Rrasën e Sukbukurit,
Lugut të Qafës, mbi ortiqet e borës,
Teferig i hollë frynë, i bjen përçukut.     2)
 
8.
Të rinjëve griçorë, dua tua kujtoj,
-Kujdes nën Qafë, tu Shkalla e Keqe,
Aty,kuajt ndihmohen që të ngjitën,
Patkonjtë-gaca e flakë nëpër leqe.
 
9.
Aaah, dhe vetëm 100 metra ma nalt,
Ndihesh Mbret, sapo shkelë në Qafë,
-Hallall,-ju thue ortigjeve ku u ngjite,
Sheh përpara një botë të pahesap.
 
…!
Nga këtu, syri gjënë hapsirën e vet,
Shpirti, fort gufon, don me fluturue,
Një pushkë-haber, kërcet nga gëzimi,
Orët e bjeshkës në pritje i ka ftue…!
 
10.
Për gjysmë ore, në Rudinë të Liqenit,
Ndalojmë-ulim kryet kuajve,uji me pi,
Shtrihemi rudinës së butë, jeshil-llek,
Ndjehemi të lumtur, dehur,(pa raki!).
 
11.
Kijet byraten në stomije të rudinës,
Plisat, me brina i gjuejnë përpjetë,
Kumona e dhenve, përcillet shpatit,
Trokaça e dhive, ushton nëpër çetë.
 
12.
Tani bjeshka, merr një fytyrë tjetër,
Mbushur bar e lule, si nuse na pret,
Ndër breza, griçorët krushqit e saj,
Krenarë…, mbi shtratshpirtin e vet.
 
Ta duam këtë emër: -Shtylla e Grisë,
Dije mirë, kallxoja gjithëkujt,o-djalë,
T’ja dimë kimetin…, është hyjnore,
Aty jetohet…, bash si në  përrallë.
 ________
1) Në kronin e Morajës ,gjithmonë duhet me pushua pak, përpara se të pish uji.
2) Perçuku=bar i gjatë dhe i fortë,që del nëpër shkëmbinj, grumbuj-grumbuj.
 
 
 
                            
ALLAFRANGA…!!
 
-Fletë ditar, Gri 21 gusht 2011-
                                                                                                                                  
…!
Në oborr nuk hyhej,
Gjithkund kaplue therrat!
Kapërcyem trinën hala-hup,
Si të burgosurit mbi telat.
 
Nga mbretëria e ferrave,
Në pulpë m’u ngul një gjembaç,
Duhej një dëshmi aty ku u rrita,
Dënim më të lehtë nuk ka se kaq!
 
U solla një herë oborrit,
Me “shoqëruesit” e mi si të mpirë,
Nuk desha as nuk hyra brenda,
Pse-në, kush donë e kupton mirë!
…!
E kreva dënimin me dy pika gjaku,
(-Allafranga ma, të mos na vish!!),
E mbyllëm vizitën dy orëshe te Shabani,       1)
Ku na priste…, gjel-kokoshi mbi çervish !      2)

__________
1. Shaban Ademi, - djali i axhës, qëndrestari i vetëm i trollit të vjetër të Selmanve të Grisë.         
2. çervish,-gatim karakteristik i Tropojës. Miell misri, pak gjalpë dhe lëngu i pulës.

__________
Përgatiti: Adem Zaplluzha /  sa-kra.ch

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen