Sonntag, 26. Mai 2013

Pirroja

PIRROJA
(319-272 p.e.r.)

Mbret i Epirit në vitet 307-302 dhe 297-272 p.e.r. Figura më e shquar në historinë e lashtë të Epirit dhe një nga komandantët ushtarakë më në zë që ka njohur bota antike. Rridhte nga familja mbretërore e fisit ilir të Molosëve. Gjatë sundimit të tij shteti epirot u fuqizua shumë ekonomikisht e ushtarakisht e u bë një faktor i rëndësishëm në arenën politike të botës mesdhetare të kohës. Pirroja hipi në fron në vitin 307 p.e.r, kur ishte 12 vjeç. Pasi e humbi fronin në vitin 302 p.e.r., për shkak të një ndërhyrjeje maqedone në Epir dhe e rifitoi atë përsëri, zbatoi një politikë të jashtme aktive. Është e njohur veçanërisht fushata e tij në Italinë e Jugut, ku, i thirrur për ndihmë nga tarentasit, që luftonin me Romën, zbarkoi në vitin 280 p.e.r. në krye të një ushtrie të madhe të përbërë nga 20.000 këmbësorë, 3000 kalorës, 2000 varkëtarë dhe 500 hobetarë, duke pasur me vete dhe 200 elefantë. Pirroja zhvilloi me romakët tri beteja të mëdha. Të parën e fitoi me lehtësi pranë Heraklesë në vitro 280 p.e.r. Për herë të parë përdori me sukses elefantët për çarjen e rrethimit romak. Në betejën pranë Auskulit, një vit më vonë, Pirroja fitoi përsëri por me humbje aq të mëdha, saqë fitore të tilla u bë zakon të quhen "fitore të Pirros", kurse betejën e tretë pranë Beneventit në vitro 275 p.e.r. e humbi. Drejtimi tjetër i rëndësishëm i veprimtarisë së jashtme lidhet me Maqedoninë. Përpara se të zbarkonte në Itali i theu maqedonët dhe për një kohë arriti të shpallëj edhe mbret i tyre, por zotërimet në Maqedoni qe i detyruar t'i ndante me sundimtarin e Trakisë, Lisimaun, i cili nuk vonoi ta shtrëngojë të hiqte dorë prej tyre. Pas disfatës me Romën, në vitin 274 p.e.r. Pirroja iu drejtua përsëri Maqedonisë, por gjatë kësaj përpjekjeje të tij të re mbeti i vrarë duke luftuar nëpër rrugët e Argosit kundër forcave të bashkuara maqedone e spartane. Pirroja mbeti në histori si një nga strategët më të mëdhenj të kohës, i dyti pas Aleksandrit të Madh, sipas vlerësimit të komandantit të njohur kartagjenas, Hanibalit.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen