Dienstag, 28. Mai 2013

Vehbi Dibra

 Haxhi Vehbi Dibra, heroi i çështjes kombëtare dhe prijësi i ardhmërisë shqiptare

I pakrahasuari, dibrani me vizion të gjerë patriotik dhe realizues i vizionit të tij për pavarësinë e Shqipërisë dhe ndërtimin e shtetit të parë shqiptar për dje, sot dhe në të ardhmen
 
Bëmat e Haxhi Vehbi Dibrës për gjuhën shqipe, për Flamurin Kombëtar kështu siç e kemi, për lirinë, kompaktësinë e pavarësinë e popullit shqiptar, për bashkëjetesën paqësore pa dallim të besimit fetar e krahinor dhe për formimin e jetën e shtetit të parë shqiptar, formuan personalitetin e tij si intelektual patriot, atdhetar, luftëtar trim dhe udhëheqës për bashkëjetesë paqësore pa dallim krahine e besimi fetar.
Haxhi Vehbi Dibra lindi në Dibrën e Madhe (Shehri i Dibrës) në vitin 1867. I ati quhej Ahmet Agolli dhe qe myfti i Dibrës së Madhe. Familja e tij qe shumë e nderuar, e qytetëruar dhe patriote. Në fëmijërinë e hershme, në qytetin e lindjes, mbaroi mejtepin, rushdijen dhe medresenë. Dallohej për zgjuarsinë dhe vullnetin e tij për të njohur të kaluarën historike të Dibrës. Dëgjonte me vëmendje tregimet për luftërat e të parëve, për vendlindjen e tij. Vazhdoi universitetin në Stamboll dhe u diplomua shkëlqyeshëm për logjikë dhe shkencat juridike. Njihte shumë mirë gjuhën arabe, atë turke dhe persiane.
Njohja në thellësi e Kuranit dhe e përvojës profetike të Muhammedit (a.s.), i krijuan bindjen se edhe popullin tonë Zoti e kishte krijuar shqiptar, se edhe gjuha shqipe ishte dhuratë hyjnore, prandaj edhe populli ynë shqiptar duhej të jetonte i lirë e i pavarur në Shqipëri e, duhet të gëzonte si gjithë popujt e tjerë resurset e këtij vendi.
Kur u kthye në qytetin e lindjes, bëri përpjekje të mësonte sa më shumë për historinë e popullit të tij. Shkollë për këtë u bënë odat dibrane dhe, myftiu i ri Vehbi Agolli, si autoritet fetar, ishte i pranishëm në to. Në këto oda, tema kryesore e bisedave ishin luftërat e pandërprera dibrane, si luftërat në kohën e Skënderbeut, ashtu dhe luftërat kundër serbëve, që bënë krimet më të shëmtuara ndaj popullit tonë. Këto kujtesa, si dhe mësimet e fesë Islame se “Të duash e mbrosh atdheun është prej besimit Islam, formuan personalitetin patriotik të Vehbi Agollit (Dibrës), i cili tërë jetën do t’ia kushtonte lirisë e pavarësisë së kombit tonë në trojet shqiptare.
Vehbi Agolli, që në krye të herës, në detyrën e myftiut të Dibrës, u shqua si ideolog dhe veprimtar i lëvizjes për autonomi dhe pavarësi. Vehbi Agolli mori pjesë si ideator e organizator i lëvizjes patriotike të viteve 1890 e më pastaj, prandaj edhe dibranët filluan t’i japin vlerën së gjalli, duke e thirrur Vehbiu i Dibrës, Vehbi Dibra.
Me dijen e tij të zgjeruar, me drejtimin e tij në krye të myslimanëve, si dhe me përpjekjet e tij për interesat kombëtare, e kishte fituar respektin e tërë popullit. Ai dëgjohej me shumë vëmendje dhe ndiqej nga tërë populli. Ai përpiqej t’i jepte fesë drejtimin e duhur, ta bënte atë udhëheqëse në të mirë të kombit tonë. Në Kuvendin e Dibrës, 7 shkurt 1899, bëri hapur thirrje për bashkim kombëtar, pa dallim fetar (detyrë e fesë Islame). Për të ishte një hap sa i domosdoshëm e jetik për popullin tonë, aq edhe i rrezikshëm për veten e tij. Vehbi Dibra bashkëpunoi dhe dha ndihmesën e tij në Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, që kryesohej nga hoxhë Kadriu. Qe pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit dhe, së bashku me Hafiz Ali Korçën, Sherif Langun etj., mbështetën fuqishëm idenë e një alfabeti të ri të gjuhës shqipe. Që në seancën e parë të Kongresit të Dibrës, të vitit 1909, pas vdekjes së kryetarit të këtij Kongresi, Ismail Beut, u zgjodh kryetar i Kongresit. Zgjedhja e Vehbi Agollit si kryetar i Kongresit të Dibrës u bë shpresë e vendosmëri për ta bërë këtë Kongres të dobishëm për popullin shqiptar dhe dështim për xhonturqit. Ishin drejtimi i Vehbi Dibrës dhe përkrahja e Hafiz Sherif Langut, Hafiz Ali Korçës, Isuf Karasanit etj., ata që bashkuan patriotët shqiptarë, të cilët morën vendime të rëndësishme për çështjet kombëtare, për shkollat shqipe dhe të drejtat e shqiptarëve.
Vehbi Dibra qe ideator dhe pjesëtar aktiv i klubit patriotik “Bashkimi dibran”, i hapur në dhjetor të vitit 1908, me drejtor administrativ Hafiz Sherif Langun.
Vehbiu i Dibrës qe ideator, hartues i programit dhe një ndër drejtuesit kryesorë të kryengritjes së vitit 1912 dhe i Kuvendit ku morën pjesë 5000 dibranë.
Ishte nisma e Vehbi Dibrës për të bashkërenduar veprimet me Elbasanin e më tej. Kryesoi Kuvendin tek Plepi i Egër, ku morën pjesë “Malet e Dibrës” dhe paria e qytetit të Dibrës.
Shtetet ballkanike ndiqnin me kujdes situatën politike. Me dobësimin e vazhduar e në rënie të Turqisë dhe situatës shqetësuese të shqiptarëve, shtetet ballkanike synonin të shfrytëzonin rastin për të copëtuar toka shqiptare. Ata u bënë shumë aktivë në prag të shpalljes së pavarësisë dhe në fillimin e shtetit të pavarur shqiptar. Me autoritetin fetar dhe përpjekjet e tij të guximshme e të gjithanshme për çështjen kombëtare, Vehbi Dibra qe më i zgjedhuri si delegat dhe kryetar i delegacionit të Dibrës në shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë. Propozimi qe i Elez Isufit. Zgjedhja e tij në krye të delegacionit nuk qe rastësi. Ai ishte bërë një udhëheqës i njohur dhe shumë i respektuar fetar e popullor për çështjen kombëtare.
Qe fjala e fuqishme dhe e besuar e Vehbi Dibrës, qe veprimtaria konkrete e myftiut të Dibrës, ajo që e lidhi vullnetin e dibranëve për liri e pavarësi me luftën e tërë popullit tonë, të të gjitha trojeve shqiptare, për të jetuar të lirë e të pavarur. Vehbi Dibra, Said Najdeni, Sherif Langu qenë të parët ata që shpjeguan drejt Kuranin dhe bashkuan popullin në të drejtën e tij hyjnore për të jetuar të lirë e të pavarur. “Zoti, vetë, na ka krijuar shqiptar e në Shqipëri, na ka krijuar të flasim shqip e të kemi traditat tona dalluese shqiptare, prandaj bashkohuni pa dallim të fitojmë lirinë e pavarësinë” – qe deviza e tyre. Kjo ngriti peshë zemrat e dibranëve, që, të vetëm, përballuan sulmet e ushtrive pushtuese serbe e bullgare, mbrojtën Dibrën dhe nuk i lanë forcat pushtuese të depërtojnë në thellësi të tokave shqiptare, për të dalë në Adriatik.
Kuvendi i Vlorës, për bëmat e shumta në shërbim të çështjes kombëtare, për aftësitë e tij intelektuale, për dijet e tij, aftësitë e plota juridike dhe autoritetin e tij fetar Islam në mbarë popullin shqiptar, e zgjodhi Vehbi Dibrën kryetar të Senatit të Parë Shqiptar në nëntor të vitit 1912. Vlerësim të veçantë, që askush nuk mund t’i arrinte si Vehbi Dibra, merr ai për zgjidhjen e dy problemeve, të cilat mund të sillnin rrezikshmëri të lartë për shpalljen e pavarësisë e jetëgjatësinë e saj.
  1. 1.  Nuk pranohej nga opinioni publik vendosja e shqiponjës në sfondin e flamurit tonë kombëtar. Kjo ishte një pengesë shumë serioze dhe mund të bëhej e pakalueshme në ato ditë shumë të vështira kur kërkohej zgjidhje e shpejtë e në favor të çështjes kombëtare. Ishte Vehbi Dibra autoriteti i vetëm, i cili e njihte në thellësi Kuranin dhe fenë Islame, ishte autoriteti i tij fetar islam, ishte kontributi i tij i madh për çështjen kombëtare, qenë të tëra këto që e bënë të pranuar Fetvanë (zgjidhjen e problemit): “Vendosni shqiponjën në mes të flamurit kombëtar. Kjo nuk cenon aspak besimin Islam” – komentoi e vërtetoi Vehbi Dibra.
  2. 2.  Pranë Vlorës kishte një garnizon turk, shumë të acaruar për ndodhitë në Vlorë. Gjithashtu, komandanti i garnizonit, Xhavit Pasha, ishte në kulmin e zemërimit dhe i gatshëm të ndalonte me forcë “Shpalljen e Pavarësisë”. Ismail Qemali ishte i bindur se këtë problem me siguri mund ta zgjidhte vetëm Vehbi Dibra. Prandaj caktoi një delegacion dhe në krye të tij emëroi myftiun e Dibrës Vehbi Agollin. Fjala e tij bindëse dhe autoriteti i tij fetar e bindën Xhavit Pashën të hiqte dorë nga sulmi që do të bënte për të ndërprerë jetën e pavarësisë. Kështu u evituan sulmet e ushtarëve turq. Kjo marrëveshje pati vlera edhe për rrethinat e Vlorës e më tej.
Tani që kanë kaluar 100 vjet, është detyrë e qeveritarëve për të vlerësuar maksimalisht këtë hero të çështjes sonë kombëtare për shpalljen e pavarësisë e më tej. Ishin këto vlera, autoriteti i tij fetar Islam dhe angazhimi i hershëm e në vazhdim për çështjen kombëtare, si dhe dijet e tij fetare, juridike e shkencore, ata që e detyruan Ismail Qemalin ta linte zëvendës të tij për kohën që kërkonte nëpër Evropë të drejtat e shqiptarëve dhe për të sensibilizuar “Shpalljen e Pavarësisë”. Vehbi Dibra dha kontribut të shquar në ngritjen dhe organizimin e administratës, në hartimin e ligjeve dhe të udhëzimeve për ngritjen e mbarësinë e qeverisë së re e të parë shqiptare. Kur Ismail Qemali u kthye nga Evropa, e gjeti qeverinë e sapoformuar shumë aktive. Vehbi Dibra, me shumë zgjuarsi dhe mund, kontribuoi në formimin e qeverisë së re shqiptare.
Vehbi Dibra dha kontribut të pakrahasuar për bashkimin kombëtar, pa dallime fetare e krahinore. Konferenca e Londrës e vitit 1913 copëtoi tokat shqiptare. Shkëputi nga trungu i atdheut tonë Kosovën, vise shqiptare në veri e në jug, ndau Dibrën e Vehbi Dibrës, Çamërinë, Ulqinin me krahina etj. Shtet e pangopura ballkanike kërkonin edhe vise të tjera, prandaj filluan Luftën Ballkanike në vjeshtë 1913. Vehbi Dibra u bëri thirrje shqiptarëve të mos i lëshonin armët, të vazhdohej lufta për shpëtimin e bashkimin e tokave shqiptare. Ai qe ideator dhe organizator i kryengritjes së vitit 1913 kundër pushtuesve serbë. Qe një ndër krerët kryesorë për organizimin dhe mobilizimin e popullit në këto luftëra. Ai punoi pa reshtur për të siguruar para dhe armë për kryengritësit dhe për të shpërngulurit me dhunë nga serbët. Vehbi Dibra përjetoi shumë dhimbje dëbimin me dhunë të mbi 100 mijë dibranëve prej tokave të tyre nga serbët. Ishte një gjenocid i vërtetë. Popullin e Dibrës e shqetëson fakti se askush nuk është merakosur për këtë krim kaq masiv të serbëve. Turqia dënohet nga Franca për një ngjarje që thuhet se është e tillë, kurse për këtë gjenocid serb nuk flitet fare. Serbi i tillë ka qenë gjithmonë dhe duhet ndëshkuar. Vehbiu i Dibrës dhe Elez Isufi bënë përpjekje madhore për sigurimin e bukës dhe të strehimit për dibranët e dëbuar.
Që në Qeverinë e parë shqiptare, Vehbi Dibra u emërua kryetar i Komunitetit Mysliman për tërë Shqipërinë, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 1929. Ai mundësoi që feja Islame të kryhej në gjuhën shqipe, që shqiptarët të kuptonin e të dinin fenë e tyre, së cilës i ishin fshehur të drejtat e shqiptarëve për të jetuar të lirë e të pavarur. Ai organizoi Kongresin e parë të myslimanëve, ku mundi t’ia arrijë qëllimit për ta shkëputur Komunitetin Musliman Shqiptar nga varësia prej Turqisë. Kjo ishte një pavarësi e dytë, në një kohë kur popullsia e besimit islam ishte mbi 80 për qind. Kjo ishte forcim e siguri për pavarësinë kombëtare.
Vehbi Dibra, edhe pse për arsye nuk mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, qe përkrahës aktiv dhe e ndihmoi atë. Ai mbështeti qeverinë e Sulejman Delvinës. Kjo mbështetje e kryetarit të fesë Islame, e ish-kryetarit të Senatit të parë shqiptar dhe, pas tij, e shumë pasuesve, ishte domosdoshmëri në ato kushte përçarjeje. Edhe pas vitit 1920, Vehbi Dibra bëri gjithçka mundej për konsolidimin e shtetit shqiptar.
Për qëndrimin dhe luftën e tij për pavarësinë e kombit shqiptar, turqit e dënuan me vdekje. Edhe serbët e dënuan me vdekje për luftën e pandërprerë për pavarësinë dhe ruajtjen e tërësisë së tokave shqiptare. Për bëmat e tij në shërbim të atdheut e futën në burg. Pas katër muajsh e liruan dibranët. Ai qe kundërshtar i Esat Pashë Toptanit për ngushtimin e kufijve shqiptarë.
Haxhi Vehbi Dibra shquhej si dijetar i shumë dimensioneve. Atë e njihte bota si të tillë. Atë e nderoi si të tillë rektori i Universitetit të Kajros El-Ez’her dhe mbreti i Egjiptit. E respektoi edhe mbreti i Arabisë Saudite, i cili e nderoi Vehbi Dibrën duke i besuar lutjen e fundit për mbylljen e ritualit të haxhit në vitin 1935. Ishte vlerësim dhe nderim të bëje duanë e fundit të haxhit para qindra-mijëra haxhinjve nga e gjithë bota e, midis tyre, kishte dijetarë, rektorë universitetesh, udhëheqës shtetesh etj. Ishte dhe nderim e krenari për popullin shqiptar, në krye të të cilit ishte Haxhi Vehbi Dibra. Vehbi Dibrën e përshëndetën në mënyrë të veçantë edhe rektori i universitetit më të madh, atij të Ez’her-it, si dhe mbreti Faruk i Egjiptit.
Nuk kuptohet pse për një personalitet të tillë mungojnë vlerësimet e duhura. Janë jetëgjatësuar figura, duke emërtuar me emrin e tyre universitete, institucione (qoftë edhe shtetërore), emra sheshesh të rëndësishme, vendesh për tubime masive me karakter patriotik, emra rrugësh etj. si në Tiranë dhe në Vlorë. Çdo njëri prej tyre do të ishte i nderuar me emrin e Haxhi Vehbi Dibrës, do të ishte nxitës për dije dhe përpjekje të gjithanshme në të mirë të atdheut tonë të bashkuar.
 
Ahmet ÇAUSHI

Burimi: Gazeta "Republika"

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen