Sonntag, 26. Mai 2013

Sami Frashëri

Biografia e Sami Frashërit  

Sami Frashëri është ideologu më i shquar i lëvizjes sonë kombëtare. Si udhëheqës ideologjik, demokrat, mendje e ndritur prej dijetari, ai mbetet një nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes.
Vëllai më i vogël i Abdylit e i Naimit, ai u lind në Frashër më 1850, ku mori edhe mësimet e para. Më 1871 mbaroi gjimnazin "Zosimea" në Janinë, mësoi gjuhë të vjetra e të reja dhe u pajis me një kulturë të gjerë. Më 1872 shkoi në Stamboll për punë dhe atje u lidh menjëherë me patriotë shqiptarë, me Pashko Vasën, Jani Vreton, Ismail Qemalin, Kristoforidhin, Hoxha Tasinin etj. Samiu u dallua shumë shpejt midis tyre dhe, me formimin e shoqërisë së Stambollit, u zgjodh kryetar i saj, ndonëse ishte nga më të rinjtë. Gjer në fund të jetës ai mbeti udhëheqësi kryesor i kësaj shoqërie.
Samiu ishte njeri me horizont të gjerë, dha ndihmesë të shquar për kulturën turke. Drejtoi disa gazeta turqisht, ku mbrojti edhe të drejtat e kombit shqiptar. Botoi në turqisht një varg veprash letrare e shkencore. Ndër këto janë disa vepra themelore, si: "Fjalori etimologjik i turqishtes", dhe "Enciklopedia turke e historisë dhe e gjeografisë" në gjashtë vëllime. Ai shkroi në turqisht dramën "Besa" me subjekt shqiptar, bëri përkthime nga letërsia botërore etj.
Veprat e Samiut në turqisht përshkohen nga ide iluministe dhe godasin obskurantizmin fetar të Perandorisë Osmane. Me to ai i sillte ndihmesë të vlefshme mendimit përparimtar. Duke goditur bazat e pushtetit feudal të sulltanëve ai i ndihmonte njëkohësisht edhe popullit të vet në luftën për liri, edhe popullit turk në luftën për përparim.
Krijimtaria e Samiut për gjuhën shqipe është e lidhur tërësisht me idealet e lëvizjes kombëtare për çlirim, me nevojat e shkollës e të kulturës kombëtare. Pa dyshim ai është një nga themeluesit e saj. Për shkollat e para shqipe Samiu botoi këto vepra: "Abetare e gjuhës shqipe„(1886), "Shkronjëtore e gjuhës shqipe„(gramatikë e shqipes,1886) dhe "Shkronja„(gjeografia, 1888). Hartoi edhe një fjalor të gjuhës shqipe, që nuk i dihet fati.


Burimi: gjuhashqipe.com

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen