Sonntag, 9. Juni 2013

Diaspora dhe diplomacia e ndërmjetme

 Nga Martin Vulaj

Fjala “diasporë” rrjedh nga fjala greke “diaspeirin”, që do të thotë shpërndarje. Hebrenjtë e kanë përdorur fjalën “galuth”, që do të thotë azil, në të njëjtin kontekst. Diaspora shqiptare ka një histori të gjatë të kontributit për kauzën shqiptare dhe shtetin shqiptar, e cila është po aq e gjatë sa vetë historia e shtetit shqiptar. Qëllimi i këtij artikulli nuk është shprehja e mendimeve për historinë shqiptare, për ç’gjë nuk jam i kualifikuar. Historianë ka me bollëk në mesin e shqiptarëve.
Sidoqoftë, edhe vështrimi më i përciptë i historisë shqiptare pasqyron rolin kritik të diasporës në zhvillimin e kombit, shtetit dhe aftësisë për bashkëveprim kombëtar dhe ndërkombëtar. Prej Skënderbeut, figurave të rilindjes shqiptare, rezistencës kombëtare të kosovarëve e deri te guximi i jashtëzakonshëm i pararendësve dhe themeluesve të UÇK-së, është e qartë se roli i diasporës ka qenë kritik në çdo fazë të zhvillimit të vetëdijes kombëtare shqiptare.
Gjatë diskutimit të rolit modern të diasporës shqiptare bëhet e qartë se ndihma e mundësuar nga diaspora në Evropë në aspekt të fondeve (si remitencat dhe fondet e ndara për kauza të veçanta, lëvizje apo edhe armë) ka qenë e pazëvendësueshme, por ajo që ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara është unike dhe meriton një vëmendje të veçantë.
Përveç ndihmës së njëjtë në formë të remitencave, fondeve të ndara, mbështetjes morale dhe teknike, diaspora në Shtetet e Bashkuara ka arritur të ketë qasje në vetë levat e pushtetit të shtetit, dhe të ndikojë drejtpërdrejt në aplikimin e fuqisë së butë dhe të fortë. Kjo nuk është bërë në saje të natyrës individuale të secilës diasporë, pasi që, si farat e bujkut që shpërndahen, diku më të mira e diku më të dobëta, në përgjithësi ekziston një shpërndarje bajagi e barabartë në aspekt të cilësisë. Kështu ka qenë edhe shpërndarja e diasporës ndërmjet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Kjo është bërë kryesisht falë: 1. modelit të demokracisë në Shtetet e Bashkuara dhe kontratës unike sociale ndërmjet qytetarit dhe shtetit, që jo vetëm i mundëson, por edhe aktivisht e inkurajon qytetarin të përfshihet në procesin demokratik. Një përfshirje e tillë është kryesisht e kufizuar vetëm nga aftësitë e ndryshueshme të qytetarit; dhe 2. Politikave kryesisht jodiskriminuese sociale të SHBA-së, që mundësojnë veprimtari të shpejtë ekonomike të qytetarit.
Diaspora në Shtetet e Bashkuara ka arritur të shfrytëzojë të dyja këto aspekte të shoqërisë amerikane dhe të gjenerojë sasi të konsiderueshme parash brenda një gjenerate, dhe më pas t’i shfrytëzojë ato para duke i zbatuar ato në procesin e hapur politik për të fituar qasje të drejtpërdrejt te politikëbërësit dhe vendimmarrësit, dhe rrjedhimisht për të ndikuar te ta nëpërmjet theksimit të politikave që janë në interes të përbashkët të SHBA-së dhe kombit shqiptar.
Kulmimi i këtij aktiviteti ka qenë ndërhyrja e udhëhequr nga SHBA-ja në Kosovë. Ndërhyrja, natyrisht, nuk ka ardhur vetëm falë aktiviteteve të diasporës, por roli i saj në ushtrimin e ndikimit te qeveria amerikane nuk duhet të nënvlerësohet.
Pas ndërhyrjes, me themelimin e shtetit të ri të Kosovës dhe me Shqipërinë në rrugë drejt demokracisë së qëndrueshme dhe përfshirjes në Evropë, energjia e konsiderueshme që ka gjeneruar diaspora është dukur të jetë dobësuar nga mungesa e një zëri unanim. Kjo nxit pyetjen, “Quo vadis, diaspora?”.
Me aftësinë e jashtëzakonshme që ka treguar diaspora në SHBA, me potencialin e pamasë që ofron qeveria amerikane (dhe komuniteti i biznesit), me nevojat e thekshme të kombit shqiptar në rritje, dhe me gatishmërinë e qeverisë amerikane për të inkuadruar qytetarët në procesin demokratik, potenciali për të realizuar një rritje dhe forcim të interesave të përbashkët karshi SHBA-së dhe kombit shqiptar është i qartë. Që kjo të ndodhë, janë të nevojshme disa gjëra:
Një, diaspora duhet të vazhdojë të ushtrojë ndikim te Kongresi dhe Departamenti amerikan i Shtetit, por në një mënyrë të strukturuar. Komisionet kryesore që kanë të bëjnë me çështjet tona janë ato që merren me çështje ndërkombëtare dhe ndarje parash për një çështje të caktuar. Ka edhe të tjera, natyrisht, por vëmendja dhe resurset duhet të përqendrohen te këto katër (2 në Senat, 2 në Dhomën e Përfaqësuesve).
Megjithatë, diaspora duhet të shikojë përtej Kongresit dhe Departamentit të Shtetit si mekanizma të vetëm të ndryshimit, dhe të fitojë qasje dhe ndikim edhe te departamentet e tjera. Bashkëveprimi me “Capitol Hill”-in dhe “C Street”-in duhet të vazhdojë, ndërsa Kongresi është veçanërisht i rëndësishëm për realizimin e objektivave, pasi ata munden t’i realizojnë ato, ose drejtpërdrejt, ose tërthorazi, nëpërmjet forcës së parave, legjislacionit apo hijeve të tyre. Diaspora duhet të përqendrohet në objektiva të prekshme, si ndihma bujqësore, mjekësore dhe ushtarake, krijimi i një korpusi modern dhe profesional diplomatik, forcimi i organizatave qytetare dhe i teknologjisë që do të shërbenin për të joshur investime. Por, kjo nuk mund të bëhet pa bashkëveprimin strukturor me vendimmarrësit shqiptarë;
Dy, përderisa ekziston një aftësi e dukshme në rritje e korpuseve diplomatike shqiptare (lexo: kosovare dhe maqedonase, gjithashtu), vendet pritëse duhet të kuptojnë se diplomacia tradicionale i ka kufizimet dhe kufijtë e saj. Diaspora nuk i ka. Duhet të ekzistojë një marrëdhënie e institucionalizuar me diasporën dhe Tiranën, Prishtinën dhe Shkupin, ku idetë dhe informatat shkëmbehen lirshëm. Vlen të theksohet se, mbase deri së fundmi, këto kryeqytete nuk kanë pasur njohuri për mundësitë mbresëlënëse të ofruara nga Departamenti i Bujqësisë, Departamenti i Shëndetësisë dhe i Shërbimeve Njerëzore, Departamenti i Energjisë, e të tjerë. Për shembull, Departamenti i Bujqësisë ka programe në të cilat marrësit i jepet një sasi e një produkti që ekziston me tepricë (drithi, për shembull) për ta shitur në vendin pritës dhe për t’i shfrytëzuar të ardhurat për të investuar në vend për të nxitur zhvillimin.
Në arkat e këtyre burokracive ndodhen shuma të jashtëzakonshme parash, dhe burokratë të cilët detyrë të vetme e kanë dhënien e tyre. Natyrisht, nuk flitet gjithmonë për para të gatshme, por edhe për programe dhe ndihma që mund të ndryshojnë jetë dhe të ndikojnë në drejtimin kombëtar.
Aftësia e korpuseve formale diplomatike për të shfrytëzuar mundësitë e tilla është e kufizuar, por jo edhe e diasporës, e cila jeton në një botë të diplomacisë së ndërmjetme, dhe qarkullon ndërmjet “Capitol Hill”-it, “C Street”-it dhe agjencive të tjera qeveritare derisa të përmbushen objektivat e caktuar. Prandaj nevojitet një strategji dhe prandaj duhet të ndikohet të Kongresi. Unë ju siguroj se takimi me një përfaqësues të agjencisë është shumë më i ndryshëm kur atë ta ketë kërkuar një senator, apo edhe më mirë, kur një senator merr vetë pjesë në të.
Natyrisht, është detyrë e USAID-it të merret me ndihmat, por është Kongresi ai që cakton buxhetin dhe komisioni për ndarje parash ai që e mbikëqyr dhe ushtron ndikim të drejtpërdrejt mbi të;
Tre, diaspora dhe kombi shqiptar nuk duhet ta shohin këtë ndihmë si bamirësi, por si një tregti në mes të partnerëve. Përveç marrëdhënies së forcuar dhe interesit strategjik që i shërben Shteteve të Bashkuara, diaspora ka për të ofruar diçka shumë më të rëndësishme: eksportimin e idealit amerikan! Shtetet e Bashkuara janë të ndërtuara mbi konceptin e sovranitetit të individit; se secili individ gëzon të drejta të patjetërsueshme. Raportet reciproke të individëve sovranë kombinohen për të bërë një kolektiv sovran, prandaj këto raporte dhe cenimi i cilësdo të drejtë mbrohet nga ligji.
Përderisa për disa ky mund të jetë një formulim i ditur, graviteti dhe vlera e tij nuk mund të mbivlerësohen. Përderisa këtu në SHBA ai është, apo është bërë, i rëndësisë së dytë, ne vetëm duhet t’i shikojmë vendet e Lindjes së Mesme për të parë se çfarë vlere ka në fakt ky koncept, ky ideal, ky realitet. Prandaj, nocioni i ndihmës në shkëmbim të zgjerimit dhe forcimit të idealit amerikan është marrëveshje e mirë për Shtetet e Bashkuara. Diaspora është mekanizmi kyç për këtë. Vetëm nëpërmjet diasporës kjo mund të bëhet esenciale dhe organike për organizmin shqiptar. Nga lartë poshtë kurrë s’mundet;
Katër, zhvillimi organizativ i diasporës duhet të ecë përpara. Diaspora ka arritur të sigurojë fonde të ndara drejtpërdrejt nëpërmjet bashkëveprimit me komisionin për ndarje parash. Vlen të theksohet këtu se kjo është arritur vetëm falë Jim Xhemës, luanit të vjetër të komunitetit, dhe lidhjes së tij me senatorin Mitch McConnell, i cili ka qenë kryetar asokohe. Megjithatë, kjo përbën vetëm një pikë të vogël të potencialit ekzistues. Lidhjet e tjera, si lidhja speciale që Harry Bajraktari ka me Elliot Engelin, dhe ato që ka Joe DioGuardi kanë prodhuar shumë rezultate. Arbën Xhaferi i ndjerë njëherë më pat thënë se “Joe DioGuardi na ka treguar neve se ku ndodhet Uashingtoni, kur ne as nuk e dinim adresën”.
Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ka pasur sukses dhe i ka dhënë komunitetit një qasje të re dhe më të sofistikuar, por që prej pavarësisë së Kosovës ai është dukur i pakoordinuar.
Luanët e vjetër, si Jimmy, Harry, Joe dhe shumë të tjerë nuk duhet të lejohen të veniten. Që prej fundit të luftës në Kosovë, mijëra shqiptaro-amerikanë janë rritur, kanë diplomuar nga universitetet dhe shkollat profesionale, dhe i janë bashkuar forcës punëtore. Ky talent i ri duhet të shfrytëzohet për të vazhduar atë që kanë krijuar luanët, dhe për të shtyrë komunitetin përpara me një strategji koherente. Institucionalizimi i këtij roli është kritik për suksesin e të gjitha palëve, por nuk mund të bëhet pa Tiranën dhe Prishtinën në veçanti;
Pesë, gjatë rrjedhës së dy dekadave të fundit, shumë miq amerikanë janë shfaqur në skenën kombëtare shqiptare. Këta miq nuk duhet të lejohen të veniten. Tërheqja e “The Albright Group” nga investimi në Kosovë duhet të përçojë valë drithëruese në shpinën shqiptare dhe nuk duhet të lejohet të përsëritet. Interesat thelbësore të një investimi të tillë janë shumë më të mëdha se vetë investimi monetar. Miqtë si sekretarja Madeleine Albright duhet të nxiten të mbesin të përfshirë në suksesin tonë.
Shqipëria po ndërton rrugë që do ta lidhin atë jo vetëm me Evropën, por edhe me vetë të ardhmen e saj. Kosova po shton njohjet vazhdimisht përderisa po konsolidon institucionet e saj. Në Maqedoni, shqiptarët janë bërë pjesë përbërëse e shtetit. Të gjithë kanë sfida, por ajo që është e pamohueshme është se shqiponja është duke i hapur krahët e saj gjithandej. Ajo duhet të vazhdojë t’i shtrijë krahët e saj në një mënyrë të qëndrueshme dhe të parashikueshme, për të frymëzuar vetëbesim në vend të pasigurisë. Diaspora duhet t’u përshtatet nevojave aktuale dhe të ndihmojë për ta udhëhequr ndryshimin drejt së ardhmes.

Burimi: GAZETATEMA.NET

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen